Aktualitet

Beleri u zgjedh eurodeputet nën logon e partisë së tij, Mitsotakis e telefonon në burg!

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis i ka uruar fitoren Fredi Belerit si eurodeputet, nën logon e partisë së tij.

Referuar mediave greke, Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me Belerin, ndërsa ai ndodhet në burg, ku i ka shprehur përgëzimet.

Kujtojmë se në listën e partisë së Mitsotakis ishte edhe Pirro Dhima, por ky i fundit nuk mund të sigurojë një vend në PE.

Ndërkohë ditën e nesërme pritet që kreu i qeverisë greke të zhvillojë një takim me eurodeputetët e dalë nga partia e tij, e cila triumfoi në zgjedhjet e PE.

Më herët edhe Kryeministri Edi Rama është pyetur në Kosovë lidhur me zgjedhjen e Fredi Belerit si eurodeputet, nën logon e partisë së Kyriakos Mitsotakis.

Rama tha se nuk zgjedh që të flasë për këtë çështje  pasi ndodhet në Prishtinë, duke shtuar se shpesh politika e jashtme është bërë politikë e brendshme, që mund të sjellë më shumë vota këtu, po i bën më shumë dëm Kosovës jashtë.

“Nuk kam asnjë koment për këtë, jam në Prishtinë. Për fat të keq politika e jashtme është bërë politikë e brendshme, një tendencë që thellon më shumë, që mund të sjellë më shumë vota këtu po i bën më shumë dëm Kosovës jashtë”, deklaroi Rama.