Nga data 18 deri në 22 gusht do të rikthehet edhe këtë vit Festa e Birrës, një organizim i përvitshëm tanimë i cili mbledh bashkë disa nga artistët më të dashur. Ndërkohë, është mësuar së fundmi se një nga të ftuarit e këtij eventi do të jetë këngëtari serb Goran Bregovic.
Ardhja e tij ka trazuar ujërat pasi nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e konsiderojnë këngëtarin si një nga artistët që ka frymëzuar masakrat e serbëve kundër Kosovës. Disa nga artistet që kanë reaguar kanë qenë Besa Kokëdhima dhe Vesa Luma, të cilat janë shprehur kundër ardhjes së tij në Shqipëri.
Ndërkohë, edhe këngëtarë, artistë dhe personazhë të tjerë pjesë të showbiz-it janë bërë bashkë me një qëllim të vetëm, mbylljen e kësaj feste, apo ndalimin e ardhjes së Bregovic në Shqipëri. Fatma Haxhialiu ka bërë një postim në Instagram ku është shprehur totalisht kundër ardhjes së tij. Ajo bën një qartësim se çfarë është art dhe si ngatërrohet arti në Shqipëri duke dashur kështu të japë mesazhin për ndalimin e ardhjes së tij në vendin tonë.
Një tjetër personazh publik që bie dakord me Fatma Haxhialiu dhe nuk dëshiron ardhjen e Bregovic në Shqipëri, është Fjoralba Ponari. Në një InstaStory ajo shfaq hapur zemërimin e saj në lidhje me artistin serb. Sipas saj, nuk konceptohet festimi e hareja me asnjë artist serb që ka bërë thirrje lufte me muzikën kundër shqiptarëve.
Ndërkohë që një varg personazhesh publike shfaqin hapur zemërimin në lidhje me ardhjen e Bregovic në Shqipëri, Kozeta Kurti duket se ka një tjetër mendim. Katër ditë më parë, ajo ka bërë një postim në Instagram ku artisti këndon. Videon e ka shoqëruar me një shkrim ku shfaq se po e pret me padurim ardhjen e tij në Shqipëri. Siç është shprehur vetë Kurti, ajo do të jetë në radhët e para për të parë performancën e tij.