Aktualitet

Begaj pret presidentin e Izraelit/Mundësi të reja në forcimin e bashkëpunimit!

Presidenti Bajram Begaj priti në takim Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë. Begaj i uroi homologut Herzog mirëseardhjen në vizitën e parë të një Presidenti të Shtetit të Izraelit në Shqipëri.

Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë. Begaj e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.

Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë. Çdo shqiptar është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Presidentit të Republikës, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë e në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti i Republikës u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, emigracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

Shqipëria i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira e kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.

Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë:

Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë. Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm. Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, rikonfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti Biden, i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjithë pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si e vetmja mundësi që çon në zgjidhje të situatës.