Në Malin e Zi, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj bëri bashkë përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik dhe apeloi që “pavarësisht ngjyrave partiake, të jenë të bashkuar për mbrojtjen e interesit shqiptar”. Kryetari i Shtetit shfrytëzoi vizitën në kuadër të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë problematikat e tyre e të faktorit shqiptar në tërësi. Në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.
Për çështje madhore kombëtare, ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë, pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri-tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin euro-atlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet.
Begaj mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit, si dhe përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë e bëjnë në interes të shqiptarëve. Po ashtu, i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare:
Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve, me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm. Gjithashtu, u shpreh se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës e kulturës shqipe.
Presidenti i Republikës përgëzoi miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet ne gjuhën shqipe. Nga sot e tutje, në shkollat shqipe, nxënësit do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin libër si moshatarët e tyre në Kosovë e Shqipëri.
Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb.
Gjatë bisedës me Presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi evidentuan kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe u shprehën shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen.
Gjithashtu, siguruan se me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Presidenti Begaj i siguroi ata se ai personalisht do të mbështesë çdo inciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.