Aktualitet Bota

BE reagon për herë të parë për abuzimin me fondet e IPARD: Janë taksat e europianëve!

Komisioni Europian ka reaguar për herë të parë për abuzimin me fondet e IPARD në Shqipëri.

Me anë të një emaili për portalin ballkanik “SeeNews”, KE thotë se fondet për Shqipërinë janë pezulluar që verë e shkuar, kur Komisioni mori në dorë raportin e OLAF.

“Janë në lojë paratë e taksapaguesve europianë. Ne presim që autoritetet shqiptare ta marrin me seriozitet këtë çështje”, tha Olof Gill, zëdhënës për Komisionin.

“Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë fermerët shqiptarë në të ardhmen, nëse garantohet se interesat financiare të BE-së janë të mbrojtura. Komisioni ka nisur një procedurë me autoritetet shqiptare për të siguruar që veprimet e duhura të ndërmerren sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Raporti përfundimtar i OLAF, zyrës anti-korrupsion pranë KE, u publikua pak më ditë më parë dhe zyrtarisht pranonte se fondet e IPARD në Shqipëri u përdorën në mënyrë abuzive dhe nuk arritën në destinacion.

Në raport, OLAF thotë se aktivitetin kriminal që zbuluar gjatë hetimit të shpërndarjes së fondeve europiane në Shqipëri, ia ka referuar autoriteteve gjyqësore vendase.

OLAF, i quan serioze shkeljet që ka identifikuar në menaxhimin e fondeve të IPARD në Shqipëri, që kishin si qëllim modernizimin e bujqësisë shqiptare.

Aplikantëve shkruan OLAF, i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF thotë se i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.

Lajmi bëri bujë një vit më parë në Shqipëri dhe i kushtoi Frida Krifcës postin e ministres së Bujqësisë, ku kishte kaluar pas “suksesit” si drejtuese e AZHBR-së.