Bota

BE premton më shumë se 2 miliardë euro për të mbështetur refugjatët sirianë!

Sot, Bashkimi Evropian premtoi më shumë se dy miliardë euro për të mbështetur refugjatët sirianë në të gjithë rajonin dhe hodhi poshtë çdo diskutim për kthimin e tyre të mundshëm në atdheun e tyre, duke deklaruar se nuk ka kushte për kthimin e tyre vullnetar dhe të sigurt.

“Angazhimi ynë nuk mund të përfundojë vetëm me premtime financiare”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borell, në fillim të konferencës për Sirinë, që po mbahet në Bruksel, transmeton Reuters.

Ai theksoi se pavarësisht mungesës së progresit, përpjekjet duhet të dyfishohen për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit, një zgjidhje që mbështet aspiratat e popullit sirian për një të ardhme paqësore dhe demokratike.

Në Bruksel po mbahet konferenca e tetë e donatorëve të Bashkimit Evropian “Mbështetja e së ardhmes së Sirisë dhe rajonit”.

Jordania, Turqia dhe Libani janë bërë shtëpia e më shumë se pesë milionë refugjatëve që janë larguar nga Siria që nga fillimi i konfliktit në atë vend në vitin 2011.