Rajoni

BE “penalizon” Serbinë!

Edhe Mali i Zi dhe Serbia janë konsideruar si vendet lidere në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, vetëm i pari mund të shpresojë për anëtarësim të plotë deri në fund të kësaj dekade.

Teksa Mali i zi ka siguruar një raport pozitiv të Vlerësimit të Standardeve nga BE-ja, Serbia mbetet prapa, e penalizuar me sa duket nga kokëfortësia për të mos iu bashkuar sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj vendit fqinj, Ukrainës. Mali i Zi, i cili negociatat e anëtarësimit i ka çelur qershorin e vitit 2021, shihet tashmë në Bruksel si anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Europian.

Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2. Mali i Zi nga ana tjetër i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Ekspertët thonë se në “garën” e kandidatëve për integrimin europian, Serbia, është shndërruar në një “fëmijë problematik” në Ballkanin Perëndimor. Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit, Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026, dhe në rrethanat më ideale, ai mund të bëhet  anëtar i BE-së në 2028-tën.

Kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen tashmë ka konfirmuar se zgjerimi do të jetë prioritet në mandatin e saj të ardhshëm dhe se Komisioni është duke punuar për të përshpejtuar punën dhe për të nxitur integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor.