Bota

BE: Nuk duam luftë tregtare me Kinën!

Bashkimi Europian (BE) nuk dëshiron luftë tregtare me Pekinin por pesë vjet bisedime nuk kanë treguar përparim të mirëfilltë, deklaroi sot ambasadori i Bllokut në Kinë, Jorge Toledo. Po ashtu, diplomati europian vuri në dukje se janë rritur shqetësimet në lidhje me aksesin e pajisjeve mjekësore europiane në tregun kinez.

Mosmarrëveshjet tregtare mes Unionit dhe Pekinit janë rritur dukshëm gjatë vitit të fundit, pasi Bashkimi Europian nisi një hetim ndaj importit të autoveturave elektrike të prodhuara nga vendi aziatik, duke e nxitur Pekinin të niste hetime ndaj industrive europiane të qumështit e mishit të derrit, si dhe t’i kufizonte importet e rakisë.

Tarifat e reja të BE-së deri në 45.3% ndaj importit të autoveturave elektrike nga Kina, hynë në fuqi javën e kaluar. Për më tepër, në prill, Unioni nisi një hetim ndaj prokurimit publik që vendi aziatik iu bënte pajisjeve mjekësore, gjë që u kritikua në atë kohë nga Pekini zyrtar.

Duke folur sot në një aktivitet në Shangai, Toledo tha se pas bisedave me prodhuesit e pajisjeve mjekësore europiane është kuptuar se ata po diskriminohen nga prokurimi publik i Kinës.

Ne e kemi kuptuar, kjo është e qartë… kompanitë europiane, të cilat kanë prodhuar pajisje mjekësore në Kinë në dy dekadat e fundit, janë duke u diskriminuar kundrejt konkurrentëve të tyre kinezë në procedurat e prokurimit publik. Nëse kjo është e vërtetë dhe ne e dimë se është, atëherë edhe ne do t’i trajtojmë në mënyrë të ngjashme kompanitë kineze në Europë. Ne nuk duam një luftë tregtare, ne thjesht duam transparencë.

Të mbledhur dje në kryeqytetin hungarez Budapest, në një samit jozyrtar, liderët europianë diskutuan mënyra për të rifilluar konkurrencën e bllokut kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Prej një kohe të gjatë, BE-ja lufton për rritjen ekonomike për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19 e goditjes në çmimin e energjisë nga pushtimi rus i Ukrainës.

Rizgjedhja e Donald Trump-it si president i Amerikës i jep urgjencë të re sfidave pasi ai kërkon rritje të tarifave amerikane për të gjitha importet deri në 10 e 20%. Ish-presidenti argumenton se SHBA-të po trajtohen padrejtësisht nga BE-ja e të tjerë partnerë tregtarë. Ndërkaq, dëshiron të adresojë deficitin tregtar duke rritur aftësitë prodhuese amerikane.