Bota

BE-ja pritet të arrijë dakordësi mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën!

“Bashkimi Europian (BE) është duke biseduar me Kievin zyrtar në lidhje me garancitë e mundshme të sigurisë, me qëllim që “zotimet e mëdha të sigurisë” për Ukrainën, të mund t’i zbatojë deri në fillim të muajit korrik të këtij viti”, siç raporton gazeta gjermane Welt am Sonntag.

Mësohet se kjo gazetë e ka parë dokumentin e një drafti në Bruksel, në të cilin po ashtu diskutohet nëse mund të dërgohen në Ukrainë ushtarë nga vendet e Bashkimit Europian. Anëtarë nga 27 vende anëtare të Unionit “së fundi u pajtuan” për një tekst “konfidencial” prej 11 faqesh, referuar burimeve të gazetës gjermane.

Welt shton se në tekst shkruhet se “përjashtohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e ushtarëve të vendeve të Bashkimit Europian përkrah ushtarëve ukrainas në operacionet luftarake kundër Rusisë”. Por, po sipas dokumentit në fjalë, vendet zotohen për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe gjithashtu armë jovdekjeprurëse, përveçse për ta ndihmuar me stërvitje.

Shumica dërrmuese e vendeve të bllokut e kanë ndihmuar Ukrainën që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar e të jashtëligjshëm të vendit fqinj në shkurt të vitit 2022, pra më shumë se dy vjet më parë.

Siç është bërë e ditur, tashmë ka disa muaj që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave nga vendet aleate perëndimore të Kievit në Ukrainë, duke zemëruar Rusinë.

I pyetur drejtpërdrejt në muajin mars, shefi i Elizesë u shpreh se “të gjitha këto opsione janë të mundshme”, por mbetet të shihet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është përpjekur që ndihmën ushtarake për Ukrainën, ta përshkruajë si tregues që NATO dhe Perëndimi janë të përfshira tashmë në këtë konflikt. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e po ashtu mbështetësit e tjerë të Kievit, po e kundërshtojnë portretizimin rus, duke mos e pranuar aspak.

Aleanca Veri-Atlantike e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kufizuar me kujdes përfshirjen e tyre, për të mos i dhënë Moskës zyrtare përparësinë në atë që gjerësisht po e cilësojnë si një luftë pushtuese në Ukrainë, e cila kërcënon rendin dhe sovranitetin ndërkombëtar. Rusia e hedh poshtë termin luftë e në vend të tij, flet për operacion special ushtarak me qëllim çmilitarizimin e Ukrainës.