Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen sot udhëton drejt Ukrainës, pas vendimit të Brukselit për ndarjen e një ndihme të re prej 160 milion eurosh, kryesisht për energjinë. Bashkimi Europian vlerëson se rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar nga sulmet ruse në luftën që vijon prej shkurtit të vitit 2022. Shumica e fondeve do të sigurohen nga pasuritë që Blloku iu ka bllokuar rusëve në kuadër të sanksioneve për agresionin ushtarak të Moskës ndaj fqinjëve.
Para ndalesës në Ukrainë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u ndal në Poloni, vend që u godit rëndë nga shirat e përmbytjet e ditëve të fundit në Europën Qendrore dhe Lindore. Von der Leyen premtoi miliarda euro në ndihmë të rajoneve të prekura nga përmbytjet.
Gjatë një vizite në qytetin e madh polak, Wrocław, zyrtarja europiane tha se fillimisht, 10 miliardë euro mund të siguroheshin nga të ashtuquajturat Fondet e Kohezionit, një nga shtyllat më të mëdha në buxhetin e BE-së.
Fondi i Kohezionit i BE-së synon të reduktojë pabarazitë ekonomike dhe sociale e të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm. Normalisht, shtetet anëtare të BE-së duhet të kontribuojnë në fond nëse duan të përfitojnë prej tij.
Por, shtetet anëtare të BE-së të prekura nga përmbytjet do të përjashtohen nga ky rregull.
Këto janë kohë të jashtëzakonshme dhe kohët e jashtëzakonshme kanë nevojë për masa të jashtëzakonshme.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u takua dje me kryeministrin polak, Donald Tusk, kryeministrin çek Petr Fiala, homologun e tij sllovak, Robert Fico dhe kancelarin austriak, Karl Nehammer në kryeqytetin polak Varshavë.
Vendet e tyre janë prekur nga përmbytjet e mëdha dhe disa njerëz kanë humbur jetën. Tusk falënderoi Von der Leyen-in për ndihmën e shpejtë e joburokratike.
Na u deshën saktësisht 45 minuta për të rënë dakord dhe për të marrë shpjegime të kënaqshme nga Komisioni Europian.