Rajoni

BE-ja në kërkim të opsioneve për dialogun, pas largimit të Lajçakut!

Bashkimi Europian është duke shqyrtuar si t’i afrohet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë e për kandidatët potencialë, për ta ndërmjetësuar. Që kur u konfirmua se përfaqësuesi aktual i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, vend ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.

Por, burimet diplomatike në BE thonë për Radion Evropa e Lirë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qëndrimi ndaj këtij procesi do të kenë BE-ja dhe strukturat e reja që do të dalin pas zgjedhjeve europiane”.

Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet europiane, këtë verë. Burimet thonë se nuk do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, që duhet të emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.

Ne jemi në një fazë ku po qarkullojnë emra të kandidatëve të mundshëm për pasardhës të Lajçakut në rolin e ndërmjetësuesit në dialog. Por, ne do të presim që së pari, të emërohet kryediplomati i BE-së për mandatin e ardhshëm 5-vjeçar. Ai që është dhe drejtues i dialogut në nivel të lartë, është logjike që të ketë mundësi të vendosë se kë duhet të emërojë në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog, – thotë një diplomat i BE-së.

Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjatet, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera drejtuese të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në Union e mes vendeve anëtare.

Pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian e që do të zhvillohen nga data 6 deri më 9 qershor, liderët e vendeve anëtare do të tentojnë të merren vesh për emërimin e presidentit të Komisionit Europian. Për këtë, duhet të kenë shumicën në Këshillin Europian. Pasi të merren vesh për këtë pozitë, duhet të zgjedhin presidentin e Këshillit Europian e përfaqësuesin e lartë.