Vizita e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksander Vulin, në Rusi dhe takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin, “është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE”. Kështu tha sot zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Stano parashtroi pyetjen se “në emër të kujt flet Vulin?” pasi presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka përsëritur se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE.
Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vulini, sepse presidenti i Serbisë, Vuçiç ka përsëritur qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo forcohen raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur gjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i raporteve me Rusinë. Dhe presim nga të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë që ta ndjekin qëllimin e integrimit në Bashkimin Europian.
Ai shprehu shqetësim për sjelljen e Vulinit, i cili vazhdon të ketë vizita të shpeshta në Rusi:
Me shqetësim vërejmë këto veprime të Vulinit sepse nuk është hera e parë që ai viziton Rusinë. Kjo bie në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për t’u integruar në BE.
Ndërkaq, të pyetur nëse një sjellje e tillë e Serbisë do të ketë pasoja për pagesat nga ana e BE-së nga plani i rritjes ekonomike për Ballkanin, nga Komisioni Evropian kanë qenë më pak të qartë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Zgjerimin, Ana Pisonero, tha se përparimi në përshtatjen e vendeve të rajonit me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe masat restriktive, duhet të jetë qëllim i agjendave të reformave të këtyre vendeve që janë kusht për pagesat nga plani i rritjes.
Komisioni po i analizon axhendat e reformave që i kanë dërguar vendet e rajonit. Para pagesave do të konsultohemi edhe me vendet anëtare. Janë disa kushte, të përgjithshme, specifike dhe kushtet për pagesa. Në axhendën e reformave duhet të përfshihen edhe hapat se si do të përparojnë edhe në përshtatjen me politikën e jashtme.
Gjatë takimit me presidentin e Rusisë, zëvendëskryeministri i Serbisë, Vulin tha se Serbia asnjëherë nuk do t’i mbështesë masat e BE-së kundër Rusisë.