Bota

BE-ja i bën thirrje Izraelit dhe Hamasit të pranojnë planin e paqes të Biden-it!

Bashkimi Europian i ka kërkuar Izraelit dhe lëvizjes militante palestineze Hamas që të pranojnë planin e paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Plani përcakton tre faza të shmangies së përshkallëzimit, kryesisht duke paraqitur një armëpushim që do të bëhej i përhershëm dhe tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez. “BE-ja jep mbështetjen e saj të plotë për udhërrëfyesin gjithëpërfshirës”, thuhet në një deklaratë.

Paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme janë në interes të të dy popujve, të rajonit në tërësi, si dhe globalisht.

Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar prej javësh mes Izraelit e Hamasit, për të arritur një armëpushim dhe një shkëmbim pengjesh për të burgosurit palestinezë. As Izraeli e as Hamasi, ende nuk kanë rënë zyrtarisht dakord ose të kenë refuzuar planin.

BE-ja shtoi se gjithashtu është “gjithnjë e më shumë e shqetësuar” për rritjen e tensioneve në kufirin mes Izraelit e Libanit. Në deklaratë përmendej shkatërrimi në rritje dhe zhvendosja e detyruar e civilëve në të dy anët e kufirit izraelito-libanez.

Askush nuk mund të fitojë nga një konflikt i gjerë rajonal. Shmangia e përshkallëzimit të situatës do të kontribuonte ndjeshëm në zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, pothuajse tetë muaj më parë, ka pasur konfrontime të përditshme mes ushtrisë izraelite e Hezbollahut, në zonën kufitare midis Izraelit e Libanit.

Ndërkaq, Sllovenia iu bashkua listës së vendeve europiane që vendosin të njohin shtetësinë palestineze. Dhoma kryesore legjislative, Asambleja Kombëtare, votoi në mbështetje të masës me 52 vota pro dhe asnjë kundër, siç njoftoi agjencia e lajmeve STA.

Opozita e qendrës së djathtë bojkotoi votimin. Më herët, opozita kishte paraqitur një mocion për një referendum kombëtar në lidhje me njohjen e Palestinës. Më pas ai u tërhoq, përpara se një mocion i dytë të refuzohej nga parlamenti.

“Sllovenia ishte në anën e duhur të historisë”, – theksoi ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon në platformën X.

I dashur popull i Palestinës, vendimi përfundimtar i Sllovenisë është një mesazh shprese dhe paqeje. Ne besojmë se vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të çojë në një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Sllovenia do të vazhdojë pa u lodhur të punojë për sigurinë e të dyjave kombeve, palestinezëve dhe izraelitëve.