Bota

BE-ja bie dakord për paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë!

Vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, siç dhe njoftoi sot presidenca belge e BE-së. Raundi i fundit i masave ndëshkuese siguron masa të reja dhe rrit ndikimin e sanksioneve ekzistuese duke mbyllur zbrazëtitë, thuhet në një deklaratë.

Belgjika kryesoi bisedimet për raundin e ri të sanksioneve si kryesuesja aktuale e presidencës së rradhës të Unionit. Diplomatët në Bruksel kanë përmendur gjithashtu shqetësimet gjermane për rregullimin e biznesit dhe kërkesat për ndryshime si arsyen kryesore të sanksioneve të reja të BE-së ndaj Rusisë.

Gjatë natës, Rusia sulmoi Ukrainën me raketa dhe dronë, duke dëmtuar infrastrukturën energjitike në katër rajone ukrainase. Lajmin e dha kompania kombëtare e energjisë, Ukrenerho. Po ashtu, burime pranë saj bënë të ditur se si pasojë e bombardimeve u plagosën tre punonjës.

Disa objekte energjetike ukrainase janë goditur në një sulm të rëndë ajror rus ndërsa dronët ukrainas shënjestruan depot e karburantit në Rusi. Ka dëme në rajonet Vinnytsia, Dnipropetrovsk, Donetsk dhe Kiev. Shkalla e saktë e tyre ende po hetohet.

Dëmi në rajonin Vinnytsia të Ukrainës u shkaktua nga pjesët e një droni luftarak rus të rrëzuar, tha në Telegram guvernatori rajonal Serhiy Borsov.

Sipas administratës rajonale, një linjë elektrike dhe një impiant industrial i paspecifikuar u goditën në rajonin e Kievit. Shpërthime u raportuan gjatë natës nga qyteti Dnipro dhe rajoni i Zaporizhias. Referuar forcave ajrore ukrainase, Rusia përdori katër raketa lundrimi, dy raketa të drejtuara dhe 27 dronë luftarakë në sulmin e kombinuar.

Të gjithë dronët dhe pesë nga raketat e tjera u kapën, sipas komandantit Mykola Oleshchuk. Tre raketa balistike Iskander-M nuk mund të kapeshin, sipas ushtrisë ukrainase. Raketat Iskander, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra, kapen rrallë.

Ndërkohë, sulmet me dronë ukrainas shkaktuan zjarre në dy depo karburanti gjatë natës, siç theksuan autoritetet ruse. Presidenti rus, Vladimir Putin po synon të forcojë lidhjet me partnerin e vjetër, Vietnamin, gjatë vizitës shtetërore të nisur sot. Kjo vizitë zhvillohet në kohën kur Moska po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të veprimeve ushtarake në Ukrainë prej mbi dy vitesh tashmë.