Aktualitet Rajoni

BE-ja, analizë axhendës së reformave në Ballkan para pagesave të para!

E zgjedhur në krye të Komisionit Europian edhe për një mandat të ri 5-vjeçar, presidentja Ursula von der Leyen do të mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator. Me këtë takim, synon të dëshmojë se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë rajonit e në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Por, qëllim kryesor është diskutimi për “axhendat e reformave e rritjes” e që gati të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Europian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e planit, që e kanë mbështetur edhe Parlamenti Europian e vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Sipas burimeve në Union, takimi i von der Leyen-it me drejtues të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e planit në fjalë.

Çdo vend duhej të përgatiste axhendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të strukturave të Bashkimit Europian.

Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit ndërsa Bosnjë-Hercegovina është e vetmja, e cila për shkaqe të brendshme politike, ende nuk e ka përgatitur dokumentin. Në Bllok, pritshmëritë ishin që në mes të shtatorit, Komisioni Europian t’i miratonte këto axhenda të vendeve të rajonit e parashikohej që diçka e tillë të mund që të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi u shtyrë për në tetor, pra muajin e ardhshëm.

Si arsye jozyrtare, përmendet fakti se Bosnjë-Hercegovina ende nuk e ka dorëzuar planin e saj. Po të merret parasysh se në këtë vend ballkanik, së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, nuk pritet që ta ketë gati deri në muajin tetor.

Siç edhe pritet, vonesat mund të ndikojnë që të mos realizohet qëllimi i presidencës hungareze të Bashkimit Europian që pagesat e para për vendet më përpara me procesin, të bëhen para fundit të këtij viti.