Bota

BE i kërkon Hungarisë informacion mbi rregullat e reja të vizave për shtetasit rusë!

Komisioni Evropian dhe Hungaria janë ende në mosmarrëveshje mbi rregullat e reja hungareze të vizave për punëtorët e huaj nga Rusia dhe Bjellorusia – ndërsa Brukseli vazhdon të shprehë shqetësimet për spiunazh.

“Për të marrë iniciativa të reja për të mirëpritur në Bashkimin Evropian qytetarët e dy shteteve armiqësore, Bjellorusisë dhe Rusisë, ngrihen pyetje serioze”, tha komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson para ligjvënësve të BE-së, në Bruksel.

Komisionerja iu referua disa incidenteve të fundit të sabotimit të supozuar rus në Evropë.

“Rregullat e reja janë një kërcënim potencial për sigurinë tonë”, tha ajo.

Komisioneri tha se Budapesti deri më tani nuk ka arritur të adresojë shqetësimet kryesore në lidhje me mungesën e kontrolleve të plota për aplikantët e vizave ruse dhe bjelloruse krahasuar me shtetasit e tjerë, si dhe nevojën ekonomike të skemës.

Johansson tha se ajo kishte kërkuar sqarime të mëtejshme nga Hungaria.

Hungaria ka kohë që ka rregulla të posaçme për hyrjen e punonjësve të huaj, por ato më parë zbatoheshin vetëm për ukrainasit dhe serbët.

Ato u zbatuan edhe për rusët dhe bjellorusët në korrik, duke shkaktuar shqetësime rreth spiunazhit në Bruksel dhe midis vendeve anëtare të BE-së.

Johansson tha më herët se Hungaria duhej të siguronte që rusët me qëllime spiunazhi të pengohen të udhëtojnë në BE përmes kontrolleve të duhura.

Duke folur më herët në Bruksel, ministri hungarez për Çështjet Evropiane, Janos Boka hodhi poshtë shqetësimet, duke folur për “histerinë politike”.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës – dy vjet e gjysmë më parë.

Orban udhëtoi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin në korrik.