Bota Rajoni

BBC: Roja Bregdetare Greke ka hedhur emigrantë në det!

Referuar një investigimi të BBC-së, Roja Bregdetare Greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, sipas dëshmitarëve duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë. Dyshohet për 43 vdekje, si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke.

Në tre vitet e fundit, Roja Bregdetare Greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe, duke i hedhur në det. Një pjesë u hodh qëllimisht e të tjerë u lanë aty apo nuk u shpëtuan, pasi janë dëbuar me forcë nga ujërat territoriale greke. BBC e mbështet artikullin në pamje dhe dëshmi të dhëna nga dëshmitarët.

Nga ana tjetër, Roja Bregdetare Greke i ka kundështuar me forcë këto akuza për veprime të paligjshme nga ana e saj.

BBC-ja analizoi 15 incidente të viteve 2020-2023 e që rezultuan në 43 vdekje. BBC thotë se burimet fillestare të investigimit ishin mediat greke, denoncimet e organizatave dhe Roja Bregdetare Turke. Në pesë nga rastet e hetuara nga BBC-ja, emigrantët thanë se u hodhën në det nga autoritetet greke. Në katër, të mbijetuarit shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u neutralizuan nga Roja Bregdetare Greke.

Po ashtu, emigrantët thanë se ishin detyruar të hipnin në gomone pa motor duke u lënë në det. Më pas, mjeti lundrues ishte shfryrë ose dukej i çarë. Një shtetas nga Kameruni rrëfeu për BBC-në një rast të rëndë.

Sapo kishin mbërritur në tokën greke, policë të veshur me rroba të zeza dhe maska u shfaqën mes emigrantëve. Ai tregoi se së bashku me dy persona të tjerë, një nga Kameruni e një nga Bregu i Fildishtë, i rrahën dhe i hodhën në det, ku dy prej tyre u mbytën.

Më godisnin sikur të isha një kafshë, tregoi ai.

Më pas, e shtynë në ujë pa jelek shpëtimi, por ai ishte në gjendje të notonte dhe të dilte deri në breg. Trupat e dy personave të tjerë që u dhunuan, u gjetën nga Roja Bregdetare Turke në territorin e Turqisë. Por, nga ana tjetër, prej vitit 2015 e deri tani, Roja Bregdetare Greke ka shpëtuar 250 mijë e 834 refugjatë në 6 mijë e 161 raste incidentesh në det.