Banka Botërore vlerëson se shumica e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan një rritje të moderuar ekonomike këtë vit, por paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt. Sipas raportit të fundit me titull “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, “në tërësi, rajoni pritet që të shënojë një rritje ekonomike prej 3.3% më 2024-ën, krahasuar me 2.6 vitin e kaluar dhe kjo rritje e “moderuar” pritet të vazhdojë përgjatë 2025-ës”, siç edhe thuhet në raport.
Rritja e përgjithshme ekonomike në rajon parashikohet të arrijë në 3.7% gjatë vitit 2025. Përkundër parashikimeve pozitive, rajoni mbetet i brishtë, për shkak të rritjes së dobët ekonomike botërore, inflacionit, pasigurisë politike dhe motit ekstrem.
Në raportin mbi rritjen ekonomike dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në të, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje krahasuar me vitin 2023. Shqipëria ka përjetuar të njëjtin nivel të rritjes ekonomike si më 2023-shin ndërsa Mali i Zi është i vetmi vend që ka rënie ekonomike në rajon, nga 6.3 në vitin 2023, në 3.4% më 2024-ën.
Sipas Bankës Botërore, në vitin 2024 Shqipëria pati një rritje ekonomike prej 3.3%, njësoj si vitin e kaluar, kryesisht e nxitur nga konsumi, turizmi dhe ndërtimet. Referuar raportit të institucionit të rëndësishëm financiar, shkalla e varfërisë, pritet të zbutet ndërkohë që pagat do të vazhdojnë të rriten.
Sipas Bankës Botërore, aktualisht 21.7 % e popullsisë në Shqipëri jetojnë në varfëri. Ndërkaq, punësimi ka shënuar rritje me mbi 1% dhe pagat në sektorin privat kanë regjistruar një rritje prej 12.7%. Investimet e huaja në Shqipëri gjatë vitit 2024 janë rritur me 8.5% krahasuar me një vit më parë.
Sfidat kryesore për vendin tonë mbeten rënia e numrit të popullsisë për shkak të emigracionit, cilësia e dobët e forcës së punës dhe vendeve të krijuara të punës, si dhe kryerja e reformave strukturore jo me ritmin e nevojshëm, siç edhe thuhet në raport ndër të tjera.
Shqipëria dhe Serbia kanë shënuar rritjen më të mirë ekonomike në rajon të nxitur nga investimet.
Në Shqipëri rritja po nxitet nga ndërtimet si dhe klima e përmirësuar e të bërit biznes.
Në fund të vitit të kaluar, në vendin tonë, shkalla e punësimit ishte 66.7%, bazuar në të dhënat e raportit të Bankës Botërore.