Aktualitet

BB: 700-750 milion dollarë në vit shpenzojnë shqiptarët nga xhepi për shëndetin!

Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka shpenzime të ulëta për frymë për shërbimet shëndetësore, përfshirë edhe medikamentet, por pagesat nga xhepi janë në nivele shumë të larta për një vend që ofron shëndetësinë falas. Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore në vitin 2021, shpenzimet për frymë për shëndetin në Shqipëri ishin 465 dollarë. Nga kjo shumë, po sipas BB-së, 59.7% ose 277 dollarë për frymë janë nga xhepi.

Në total, për një popullsi prej rreth 2.7 milion banorësh, shpenzimet nga xhepi për vitin 2021 ishin rreth 750 milion dollarë. Nëse do të llogarisim një popullsi rezidente rreth 2.5 milion banorë, sërish shpenzimet nga xhepi për shëndetin nuk janë më pak se 700 milion euro në vit.

Sipas metodologjisë së Bankës Botërore, shpenzim nga xhepi është çdo shpenzim i drejtpërdrejtë nga familjet, duke përfshirë shpërblimet dhe pagesat në natyrë, për praktikuesit shëndetësorë dhe furnizuesit e produkteve farmaceutike, pajisjeve terapeutike e mallrave dhe shërbimeve të tjera, qëllimi kryesor i të cilëve është të kontribuojnë në rivendosjen ose përmirësimin e gjendjes shëndetësore të individëve ose grupeve të popullsisë. Këto janë pjesë e shpenzimeve private për shëndetin. Këto shpenzime maten përmes pyetësorëve kombëtarë me familjet.

Pagesat neto nga xhepi po rriten vitet e fundit për shkak se gjithnjë e më shumë po shtohet popullsia që ka nevojë për mjekim. Plakja e popullsisë dhe pandemia COVID-19 kanë rritur numrin e të sëmurëve kronikë, që kanë nevojë për më shumë se një trajtim.

Shpesh, medikamentet blihen nga xhepi në farmaci. Të dhënat e INSTAT-it bëjnë të ditur se importet e ilaçeve janë rreth 26-28 miliardë lekë në vit, duke u shtuar marzhin e shpërndarjes me shumicë dhe pakicë (25%), vlera finale arrin në 35 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, rreth 12 miliardë lekë rimbursohen nga shteti (kryesisht për pensionistë apo të sëmurë kronikë), ndërsa qytetarët mbulojnë me shpenzimet e veta rreth 23 miliardë lekë në vit (afro 230 milion dollarë). Ka dhe medikamente që hyjnë kontrabandë e janë të shtrenjta, që nuk regjistrohen në shifrat zyrtare.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm njoftoi se sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve nuk kanë qenë të mjaftueshme vitin e kaluar. Në mes të vitit 2023, qeveria e rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk ishin të mjaftueshme e janë gjeneruar detyrime të prapambetura.

Në fund të vitit, nga listë-treguesit e pranuar për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve mbetën papaguar rreth 796 milion lekë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, detyrimet e fundit të vitit u rritën me 5.8% ose për vlerën 673 milion lekë, deklaroi FSDKSH.

Në listat e rimbursimit, shpesh janë medikamente jo efektive, duke bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen farmacive. Gjithashtu për shërbimet shëndetësore në spitalet publike, qytetarët paguajnë nga xhepi. Kjo shumë është praktikisht e pamatshme, teksa pagesa nga xhepi është kthyer në një kulturë në sistemin shëndetësor, me perceptimin se përndryshe nuk e merr shërbimin e kërkuar.

Hetimet e fundit të Prokurorisë së Tiranës, zbuluan raste kur pacientët orientoheshin të blinin ilaçe që duhej t’i merrnin në spital apo detyroheshin që të kuroheshin në klinika private. Një pjesë tjetër e popullsisë që ka mundësi financiare i drejtohet spitaleve private, që dekadën e fundit u shtuan me shpejtësi, pasi panë shpenzimet e larta të shqiptarëve për t’u kuruar jashtë vendit, kryesisht në Turqi apo Greqi.

Të dhënat e tjera të Monitor-it, të përpunuara nga bilancet zyrtare, bëjnë të ditur se qarkullimi vjetor i pesë spitaleve kryesore private në vend, në vitin 2021 ishte 120 milion dollarë, nxitur nga pandemia, për të rënë më pas në rreth 100 milion dollarë në vitin 2022.

Krahas shpenzimeve në spitalet private në vend, ka shumë që iu drejtohen dhe spitaleve jashtë vendit, si në Itali, Turqi, Greqi apo dhe Gjermani, në kërkim të një shërbimi më cilësor, që nuk ofrohet në vend, sidomos në shërbimin publik shëndetësor. Edhe këto shpenzime janë praktikisht të pallogaritshme.

Rritja e shpenzimeve nga xhepi

Të dhënat e Bankës Botërore, që i referohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bënë të ditur se përgjatë 20 viteve të fundit, shpenzimet për shëndetin nga xhepi janë rritur. Në vitin 2000, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, 46.5 ishin nga financimet e brendshme të qeverisë për këtë zë, 1.7 lekë nga burime të jashtme dhe 51.8 nga vetë xhepat e qytetarëve, sipas të dhënave nga Banka Botërore, që i referohet Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dy dekada më vonë, pavarësisht investimeve të shumta, shpenzimet për shëndetin jo vetëm që nuk kanë shënuar përmirësim, përkundrazi, qytetarët të cilët paguajnë 3.4% të pagës si tatim për sigurimet shëndetësore, kanë paguar gjithnjë e më shumë nga xhepi. Të dhënat e Bankës Botërore referojnë se në vitin 2021, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, shqiptarët paguan nga xhepi rreth 60 lekë ose 60%, rreth 8 pikë përqindje më shumë se në vitin 2000.

Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës, (pa përfshirë ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi.

E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë./Monitor