Celebrities Showbiz

“Basti im është që Basholli do të shtojë një Oscar në koleksionin e saj”, Dua Lipa vazhdon përkrahjen e saj për filmin “Zgjoi”!

Filmi “Zgjoi” po arrin një sukses të madh dita-ditës dhe po merr vëmendjen e të gjithëve, qofshin ata figura publike apo jo.  Në faqen zyrtare të filmit “Zgjoi” në Instagram është shpërndarë një postim i këngëtares Dua Lipa, në të cilin tregon sërish mbështetjen për filmin kosovar.

Përkrahja e vazhdueshme e yllit vjen pasi Kosova është futur për herë të parë në listën e ngushtë të nominimeve për “Oscars 2022”. Ajo shkroi:

“Zgjoi” është një film i bukur që tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli, është një frymëzim. “Zgjoi” mori shumë çmime në “Sundance” dhe basti im është që Basholli do të shtojë një Oscar në koleksionin e saj.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të 94-të të ndarjes së çmimeve Oscars. Votimi në listën e ngushtë përfundoi më 15 dhjetor dhe të tjerët do të kalojnë në fazën e parë të votimit zyrtar. Votimi i nominimeve fillon të enjten, më 27 janar dhe përfundon të martën, më 1 shkurt. Pjesa tjetër e nominimeve për Oscar do të publikohen më 8 shkurt. Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” është edhe filmi shqiptar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili është propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.

Ndërkohë, Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus janë bërë pjesë si producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” të shkrimtares dhe regjisores Blerta Basholli. “Zgjoi” tregon historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990. Për të siguruar jetesën e familjes së saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes duke shitur ajvar, një produkt ushqimor vendas nga specat dhe patëllxhanët dhe së bashku ato gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.