Për kryeministrin Edi Rama, bashkimi me Europën është si një rrugë me dy korsi, korsia e punës së përditshme të reformave, si dhe korsia politike. Në episodin e 6-të të podcast-it “Flasim”, me të ftuar “Vajzën e Themeloreve”, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, kryeministri Rama u ndal te çelja e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”. Në vëmendje solli rëndësinë dhe përfitimet nga ky proces.
Kryeministri theksoi se është e nevojshme që publiku të informohet, pasi ka një “mjegull, keqkuptim, përzierje llafesh mbi këtë proces që është shumë teknik”.
Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike e teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive. Në më shumë se një rast, ne e kemi parë që negociatat sa i përket rekomandimeve të Komisionit na janë hapur dhe rekomanduar të fillojnë, por dera ka qëndruar e mbyllur duke na shtyrë në kohë.
Ndërsa vlerësoi kapacitetet e dëshmuara nga ekipi negociator dhe administrata publike, Rama u shpreh se beson më tepër se kurrë se jo vetëm për arsye politike e mënyrës si funksionon Europa, por thjesht dhe vetëm se “kemi këto kapacitete, do ta arrijmë këtë gjë (anëtarësimin) brenda kësaj dekade. Jam i bindur 100%”.
Bashkimi Europian, patjetër që nuk është perfekt e ka nevojë për t’u rimenduar në funksion të projektit të hedhur nga themeluesit, pra duhet thelluar se është projekt i papërfunduar.
Për ne kanë zgjedhur të tjerët. Kemi kaluar në perandori e regjime, nuk kemi pasur mundësi për të zgjedhur. Mundësia për të zgjedhur na erdhi kur ra Muri i Berlinit dhe ne zgjodhëm.
BE-ja është hapësira e lirisë së garantuar individuale dhe kjo nuk negociohet, nuk blihet e nuk shitet për asnjë gjë. E dyta për rendin ligjor, atë që ne po përpiqemi ta ngremë për herë të parë në historinë tonë, një rend ligjor demokratik e për demokracinë funksionale, patjetër që është një ushtrim që ka gjithë vështirësitë e veta dhe sot po shfaq dobësitë e veta dhe në vetë BE-në.
Por sipas kryeministrit, “rendi ligjor, që do të thotë të gjithë të barabartë para ligjit dhe demokracia funksionale gjenden vetëm aty dhe vetëm duke u ulur në atë sofër ti mund t’i garantosh”.
Çdo përpjekje dhe alternativë tjetër është diçka që ne shqiptarët e kemi provuar në mënyrën më ekstreme.