Bota

Bashkimi Europian do të vendosë sanksione ndaj Iranit!

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, sot takohen për të debatuar lidhur me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e Bllokut për të mbështetur Ukrainën, vendin që prej mbi dy vitesh e gjysmë po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, pavarësisht se për këtë çështje ka rezistencë nga Hungaria.

BE-ja planifikon të godasë aktorët rusë dhe organizatat që akuzohen për destabilizimin e demokracisë dhe sigurisë së Moldavisë me sanksionet e reja, para se më vonë gjatë këtij muaji, vendi të mbajë një referendum kyç për anëtarësimin në Union.

Po ashtu, BE-ja dëshiron të ndëshkojë Iranin për shkak të furnizimit të Rusisë me raketa balistike, të cilat Moska i përdor kundër Ukrainës. Sanksionet e Bashkimit Europian do të miratohen sot dhe pritet të shënjestrojnë kompani e individë të përfshirë në programin e raketave balistike të Iranit, si dhe dërgimin e këtyre e të tjera armëve në Rusi. Republika Islamike reagoi një ditë më parë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi:

E kam thënë qartë dhe e përsëris edhe një herë: ne NUK i kemi ofruar raketa balistike Rusisë. Nëse Europa ka nevojë për një “rast” për të qetësuar shantazhin e Izraelit, më mirë të gjejë një histori tjetër.

Sanksionet e BE-së do të vendosen edhe ndaj linjës ajrore shtetërore “Iran Air”. Irani vuri në dukje se ka një bashkëpunim strategjik me Moskën, por kjo nuk kishte të bënte me luftën në Ukrainë. Teherani zyrtar pohoi se ofrimi i ndihmës ushtarake për palët ndërluftuese është “çnjerëzor”.

Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se me ndihmën e investimeve perëndimore, po kërkon që të zgjerojë ndjeshëm prodhimin e armëve në Ukrainën që lufton me Rusinë prej më shumë se dy vitesh e gjysmë.

Kapaciteti ynë industrial na lejon të prodhojmë shumë më shumë drone, më shumë predha dhe pajisje ushtarake nga sa lejojnë aftësitë financiare të vendit tonë. Perëndimi mund të sigurojë paratë, veçanërisht pasi shumë partnerë aktualisht nuk janë në gjendje të ndihmojnë në mënyrën e duhur Ukrainën për shkak të mungesës së armëve të tyre. Gjithashtu, disa partnerë kanë teknologji të veçanta që mund të përdoren në Ukrainë tani.