Politikë

Basha: Të mos turbullohemi nga hijet e së shkuarës, ndjesë për gabimet e së shkuarës

Kreu i PD, Lulzim Basha u ka dërguar sot një mesazh të gjithë demokratëve të zhgenjyer e të mërzitur. Nga oborri i selisë blu, dhe pikërisht sot më 11 dhjetor që përkon me ditëlindjen e forcës më të madhe politike të Opozitës shqiptarem Basha u shpreh se nuk mund të injorojnë atë ç’ka po ndodh aktualisht me një pjesë të familjes së Partisë Demokratike.

“Dua t’i drejtohem demokratëve të zhgënjyer, demokratëve të mërzitur e të dëshpëruar t’ju them e njoh dhe e kam prekur dëshpërimin tuaj nga Tropoja në Sarandë, nga Malësia e madhe, Dibër Ersekë e Gjirokastër. Më keni besuar jo një karrige, as një mandat të trete, por prirjen për betejën për përmbysjen e një shteti që nuk ka lidhje me demokracinë”, u shpreh Basha.

Ndërkohë Basha theksoi se kjo ditëlindje e Partisë Demokratike i gjen zemërthyer.

“Nuk jam duke kërkuar njerëz që më ndjekin verbërisht. Nuk jam duke kërkuar një udhëheqës që këkron ndjekës. Jemi të gjithë udhëheqës që frymëzojmë një udhëheqës. Çdo shqiptar të jetë lider, luftëtrar i vlerave, i parimeve. Për këtë ka nevojë Shqipëri, jo për një kult të ri individ. Kjo ditëlindje e 31 na gjen zemërthyer sepse duhet ta kalonim edhe një sprovë, por e tillë është rruga drejt vlerave, e tillë ka qenë rruga drejt virtytit, drejtësisë, demokracisë. Nuk mund te jetë ndryshe rruga jonë”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u ka bërë thirrje demokratëve që të mos turbullohen nga hijet e së shkuarës, duke nënkuptuar ish kryetarin Sali Berisha, ndërsa kërkoi falje për gabimet e bëra në të shkuarën.

I mbështetur nga Enkelejd Alibeaj, Orjola Pampuri, Arbri Agalliu, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, e të tjerë, kryedemokrati zbuloi edhe një instalacion të vendosur në oborrin e Selisë Blu me firmat e themeluesve të PD.