Politikë

Basha në Tiranë: Betejën elektorale të 25 prillit do ta përcaktojnë të rinjtë!

Kreu i PD-së Lulzim Basha zhvilloi një takim me të rinjtë në njësinë nr.8 në Tiranë. Në një bashkëbisedim me ta Basha tha se betejën elektorale  të 25 prillit do ta përcaktojnë të rinjtë.

Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia shqiptare, siç ka përcaktuar të gjitha ndryshimet e mëdha. Dhe kjo është betejë për ndryshim nuk është thjesht betejë për zëvendësim është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga Europiane e Shqipërisë

Ai theksoi edhe njëherë se misioni i partisë që ai drejton është që të pengojë largimin e të rinjve nga vendi duke thënë se PD-ja do t’i sigurojë atyre mundësi më të mira punësimi.

E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe jua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë siç e bëni ju Shqipërinë krenare

Partitë politike nisën dje zyrtarisht fushatën elektorale, një muaj para zgjedhjeve të 25 prillit.