Politikë

Basha mbledh krerët e degëve të PD-së, nuk i njeh zgjedhjet!

Zbardhen detaje nga takimi i kryedemokratit, Lulzim Basha me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Mësohet se Basha ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, ku PS-ja fitoi 74 mandate, pasi sipas tij ato ishin jashtë standardeve.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura Lulzim Basha ka folur për shitblerjen e votës ditën e zgjedhjeve dhe dosjen e plotë që po përgatit PD për kontestimin e rezultatit në Prokurori dhe institucionet ankimuese të KQZ.

Gjithashtu mësohet se javën e ardhshme, Basha do të zhvillojë ture nëpër në çdo degë të PD-së, për të mbledhur prova për manipulimet. Mes të tjerash ai iu delegoi një porosi krerëve të PD-së në rrethe që të mbledhin prova që dëshmojnë vjedhjen e zgjedhjeve.

“PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Ne jemi duke grumbulluar fakte në rrugë ligjore për të mos njohur procesin e 25 prillit. Javën e ardhshme do të nis tur në çdo degë të PD-së”, u shpreh Basha para drejtuesve të PD-së në rrethe.