Aktualitet Politikë

Basha: Kuvendi të përfshijë propozimet tona për fuqizimin e SPAK-ut!

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha reagoi për mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku po raporton kreu i SPAK-ut, Altin Dumani 3 kërkoi edhe njëherë që Kuvendi të përfshijë propozimet e PD-së për fuqizimin e SPAK-ut, që sipas tij, mbahen në sirtar në mënyrë të pashpjegueshme.

Ata që liruan me amnisti të korruptuarit e dënuar nga SPAK/GJKKO po marrin në pyetje SPAK-un. Nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Përkundrazi, mbajnë bllokuar nismat ligjore të PD-së për t’i ardhur në ndihmë SPAK-ut dhe BKH-së, shkroi Basha në një postim në Facebook.

Bëjnë sikur kërkojnë shpejtësi hetimi për korrupsionin nga SPAK-u, por fusin kokat poshtë tavolinave për nismën e PD-së për heqjen e imunitetit. Sepse duan t’u japin kohë të largohen të korruptuarve siç bënë me Arben Ahmetajn.

PD-ja qëndron e vendosur në mbështetje të SPAK-ut dhe BKH-së nëpërmjet propozimeve dhe amendamenteve të saj. Vetëm kështu do dalë në shesh e vërteta e atyre që duan vërtet drejtësi dhe hipokritëve të politikës 34-vjeçare që fshihen pas gishtit dhe në momentin e parë bëjnë gjithçka për ta sabotuar punën e drejtësisë.

“Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në vend nga bizneset shqiptare, si ndërmjetëse për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane”, vuri në dukje Dumani.

SPAK-u ka tregues sasiorë e cilësorë të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale, nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milion euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitorë. Detyra jonë është të hetojmë, por mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Paçka se luftojmë krimin e organizuar, masat “Arrest me burg” zënë vetëm 48% të totalit. Të paraburgosurit nga SPAK-u zënë më pak se 9%.

Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave. Gjithashtu, dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetëse për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.

Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi. Bashkëpunimi shumë i mirë me banka të nivelit të dytë bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Para deputetëve te Ligjet, kreu i SPAK-ut përsëriti shqetësimet për të cilat shpreson se do të gjejnë mbështetje e zgjidhje nga Kuvendi, si  mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit. Ndërkaq, sërish veçoi mungesën e referimeve nga institucionet publike.

Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi, si mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK-ut mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të Komisionerit Publik, mungesa e referimeve nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të BKH-së, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura.