Politikë

Basha i prezanton programin Eurokomisioneres për Arsimin, Rama kritika BE-së

Në një tryezë diskutimi online me Komisionieren e Bashkimit Evropian Mariya Gabriel dhe përfaqësues të Universitetit Modul të Vjenës, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi programin e opozitës për arsimin në Shqipëri. Demokrati foli për pikat kryesore si, plani konkret i punës që sipas tij ofron trajnim të dyfishtë profesional në mbi 20 disiplina.

Qëllimi i programit tonë është mbështetja e klasës së mesme përmes mirëtrajnimit dhe mirëpagimit.

Reagon kryeministri Rama. Kreu i ekzekutivit shqiptar e cilëson ndërhyrje në fushatë elektorale nga ana e atyre që sipas tij paguhen nga taksat e popujve të Evropës.

Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Evropës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Evropian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Evropës zgjedhin qeveritë e tyre.

Para disa ditësh, kryedemokrati Basha i prezantoi programin e tij elektoral edhe komisionerit të Bashkimit Evropian për Buxhetin, Johannes Hahn.