Politikë

Basha: Gëzuar ditëlindjen PD, ditëlindje e thyer nga ata që e përçanë

Paralelisht me Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha, kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha mbajti një deklaratë të shkurtër nga Selia Blu.

“Gëzuar 11 dhjetorin ditëlindjen e PD, ditëlindje e thyer nga ata që e përçanë, por nga kjo ditëlindje Partia Demokratike do të dalë më e bashkuar”, u shpreh Basha.

Në këto çaste në Selinë Blu pritet të zhvillohet një ceremoni për 31-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Para mbështetëse, kryetari Basha gjatë ceremonisë festive do të inaugurojë edhe një pllakatë.

Në pllakatën prej xhami do të jenë firmat e themeluesve të partisë në 11 dhjetor 1990. Nuk dihen nëse pjesë e këtyre firmave do të jetë edhe ajo e Sali Berishës, si një nga personat kyç të formimit të kësaj force politike.

Ndërkaq pritet të japë edhe një mesazh për të gjithë demokratët që tashmë janë të ndarë në dy kampe.

Aktualisht në Selinë Blu tashmë kanë mbërritur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi si edhe edhe nënkryetari i kësaj partie Alfred Rushaj.

Reporteri i Shqipërisë në BE, Lega uron Bashën për ditëlindjen e PD: Të mbetet e bashkuar dhe e fortë

Eurodeputeti dhe reporteri i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, David Lega ka uruar sot Lulzim Basha për 31-vjetorin e themelimit të PD. Me një postim në Twitter, Lega shkruan se PD ka luajtur një rol të rëndësishëm në arenë politike në Shqipëri dhe duhet të mbetet e bashkuar dhe e fortë.

“Urimet më të ngrohta për 31 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Kryetarit Lulzim Basha. Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në arenën politike në Shqipëri dhe duhet të mbetet e bashkuar dhe e fortë”.