Këtë vit, INSTAT-i nuk ka publikuar asnjë tregues në lidhje me punësimin në vend, për shkak të përputhjes së Anketës së Forcës së Punës me të dhënat e reja të popullsisë që buruan nga Censi 2023. Por, të dhënat nga anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 treguan normë të lartë papunësie në mesin e të anketuarve në Shqipëri.
Nga 1000 të pyetur, 20% ishin të papunë në vendin tonë, niveli më i lartë rajonal dhe me diferencë nga të tjerat. Mesatarja rajonale e papunësisë në mesin e të anketuarve ishte 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezultoi në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Bosnjë-Hercegovinë 11 e Maqedoninë e Veriut 13%.
Në mesin e të anketuarve, gjithashtu Shqipëria kishte vetëpunësimin 15%, niveli më i lartë në Rajon. Për rrjedhojë kemi përqindjen më të ulët të të punësuarve me pagë. Në 1000 persona të pyetur në vendin tonë, 39% e tyre ishin të punësuar me pagë. Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%.
Nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, një përqindje e madhe në Maqedoninë e Veriut (21%) dhe në Serbi (28%) ishin pensionistë.
Në shqyrtimet tremujore të ecurisë së ekonomisë, Banka e Shqipërisë nëpërmjet të dhënave alternative referoi se ka rritje më të ngadaltë të punësimit më 2024-ën.
Treguesit e vrojtimeve theksojnë se pritshmëritë e bizneseve për punësimin janë zvogëluar gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që situata vlerësohet e përmirësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual.
Treguesi i punësimit ndoshta do të pësojë ndryshimin më të fortë nga të dhënat e reja të Censit 2023. Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT-it.
Të dhënat paraprake nga rezultatet e Censit 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona nga 1,903,987, me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e Censit 2011.
Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.
Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune./Monitor