Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit e ka renditur Shqipërinë në vend të parë në Europë për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe të dytën në botë pas Katarit të Kupës së Botës.
Lajmin e ka ndarë në rrjetet e tij sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 kanë vizituar vendin tonë, ku kjo arritje përkthehet në të ardhura.
Një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e para pandemisë.
9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë, ka shkruar Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro më herët duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti të suksesshëm tha se deri në fund të gushtit 8.5 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë.
Në një intervistë televizive Kumbaro tha se “deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm. Nëse gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar, kemi rreth 20% më shumë vizitorë të huaj”.
Kumbaro tha se të ardhurat e hyra në ekonominë shqiptare si pasojë e shtimit të numrit të turistëve, kanë pasur një trend pozitiv rritjeje.
Kemi më shumë të ardhura. Për të njëjtën periudhë, po rri tek 6-mujori i parë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tregon se janar-qershor 2023 të hyrat nga turizmi në ekonominë shqiptare ishin 1.5 mld euro. Ndërsa për të njëjtën periudhë në 2024, ishin 2 mln euro. 2022 u mbyll me 2.2 mld euro të hyra në ekonomi nga turizmi. 2023 me 4.2 mld euro të hyra. Në 6 muajt e parë të 2024 jemi në rritje nga 1.5 deri në 2 mld euro. Presim mbylljen e bilanceve, por deri tani janë të gjitha në trend rritës. Në 6 muaj 200 mijë vizitorë vetëm në kalanë e Gjirokastrës, jo në qytet.