Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi iu përgjigj Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke theksuar se “opozita nuk komunikon me përfaqësues të krimit”. Më herët, Spiropali theksoi se maxhoranca është e gatshme për dialog duke iu përgjigjur Enkelejd Alibeajt i cili kërkoi rikthimin e normalitetit në Kuvend por në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Gazment Bardhi u shpreh:
Me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij, ne nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar.
Po ashtu, nga jashtë mjediseve të Kuvendit i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë krimin e organizuar dhe jo të vihet në lëvizje për opozitën e deputeten Elda Hoti. Bardhi tha:
Qesharake thirrja e Elda Hotit sot në SPAK. Nuk mundet SPAK-u të vihet në lëvizje pas një thirrjeje të policisë, cilido që ka firmosur atë paçavure, pasi rrezikoi jetën e saj, rrezikoi edhe atë të Elisa Spiropalit. Të harxhojnë kohën me çështje idiote. Të thërrasin Belinda Ballukun për 50 milion eurot me tunelin e Llogorasë, 150 milion euro nga shitja e energjisë elektrike, të thirret Erion Veliaj. SPAK duket se është i zënë me “nuhatjet”, nuk e dinim që i paguajmë për të nuhatur, por për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Sipas Gazment Bardhit, policia dhe SPAK-u duhet të fokusohen te denoncimet dhe krimi i organizuar.
Njëri nga viktimat në Shkodër, vetëm javë më parë ka denoncuar një atentat të dështuar në qendër të Shkodrës, sot nuk do kishin vdekur tre qytetarë dhe një tjetër që lufton me jetën. Këtu të fokusohet puna, nuk na intimidojnë kot, nuk kemi vjedhur me 5D dhe incenerarorë e tunele Llogoraje, as nuk trembemi. Sa herë të na thërrasin do të shkojmë të tallemi te SPAK-u, siç u tall sot Elda Hoti me ta. Ne nuk komunikojmë me krimin e organizuar, sepse nuk na lidh gjë me të.