Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi reagoi sërish duke përsëritur akuzat se forcat speciale të policisë jo vetëm penguan deputetët të kryenin detyrat e tyre, por sipas tij, policët e Ramës kërcënuan edhe me jetë deputetët e opozitës.
Postimi i Bardhit:
Kurrë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur që deputetët të rrethohen nga forcat speciale të Policisë së Shtetit brenda ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.
Kurrë gjatë një seance plenare nuk ka ndodhur që forcat speciale të Policisë së Shtetit të futen në ambientet e brendshme të Kuvendit dhe të pengojnë lëvizjen e deputetëve. Kuvendi sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit ka forcat e veta të sigurisë, që janë pjesë e Gardës së Republikës.
Kurrë nuk ka ndodhur që një punonjës policie brenda ambienteve të Kuvendit të kanosë me jetë një deputet.
Pavarësisht debateve të përhershme dhe tejkalimeve të kompetencave herë pas here nga Garda e Republikës, sot ishin pikërisht punonjësit e Gardës që mbrojtën jetën e deputetëve të kanosur nga Policia në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Sot Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në fytyrën e vërtetë të Edi Ramës. Shteti që kërcënon brenda Kuvendit me polici deputetët e opozitës, nuk ka asnjë lidhje me nje shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe asnjë lidhje me parimet që udhëheqin një vend anëtar i NATO-s!
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike bën të ditur se do të kallëzojë penalisht në SPAK, kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kreun e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, si dhe disa punonjës të paidentifikuar policie. Sipas Partisë Demokratike, kallëzimi penal do të realizohet me pretendimin se “janë futur persona të armatosur në Kuvend dhe kanë kanosur me armë deputetët”.
Reagoi Policia e Shtetit duke hedhur poshtë akuzat. Sipas bluve, asnjë efektiv nuk ka patur armë. “Përgënjeshtrojmë që efektivët kanë nxjerrë armë zjarri. Ata kanë vetëm shkopinj gome e mjete mbrojtëse”, thuhet në reagimin e policisë.
Njoftimi zyrtar:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.