Aktualitet Politikë

Bardhi: Buxheti jo për qytetarët, por për 5 individë!

Nga foltorja e Kuvendit ku po zhvillohet seanca maratonë me diskutime kushtuar projektbuxhetit 2025, kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin Rama se gënjen pensionistët. Sipas tij, pensionistët në Shqipëri kanë pension mesatar 183 euro ndërsa në vendet e rajonit, mbi dyfish të larta.

Nuk ka asnjë surprizë. Erdhi foli me veten, duartrokiti veten. Pensionistët mendon se do t’i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal për t’i dhënë atë që quhet “bonus i fundvitit”. Ai është një shpërblim që çdo vend europian e jep në shenjë solidariteti. Zotëria e bën një herë në katër vite. As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. E ka dhënë në vitin 2022, për efekt të zgjedhjeve më 2021-shin.Mendon se me këtë politikë do të gënjejë shtresën më në nevojë.

Një pensionist i përgjegjshëm, mjafton të bëjë ato që bëjnë vendet e rajonit. E dini ju sa janë pensionet në këto vende? Në Malin e Zi, pensioni minimal është 450 euro. Në Serbi është 388 euro, në Maqedoninë e Veriut 406 euro, në Bosnjë Hercegovinë është 369 euro.

Po në Shqipëri? Eshtë 183 euro mesatari. Ky vjen këtu e na flet përralla. Absolutisht nuk iu bë asnjë nder pensionistëve. Ato janë lekët e tyre. Pensionistët presin të kenë pensionin minimal sa në Malin e Zi, sa në Serbi, etj.

E dëgjuat çfarë tha se “me këtë bonus, masa e rritjes së pensionit, sjell një rritje me 9%”. Sot që flasim, pensionet e kanë 8% më të ulët. Pas 12 vitesh, jo vetëm që nuk kanë përfituar rritje por marrin më pak të ardhura. 12 vite pasi zotëria është ulur në atë karrige.

Sipas Bardhit, buxheti nuk është për qytetarët por për 5 individë.

Buxheti është për 5 individë. Derdhe ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe ike. Mendon se duke fyer opozitën, ne do të biem në kurthin tënd e nuk do të merremi me buxhetin. Por ne do të merremi me buxhetin. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant.

Në Kuvend, Rama tha se do të ketë fond rreth 100 milion euro për bonusin e fundvitit për pensionistët. Ata me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin 150 euro ndërsa kush e ka mbi 20 mijë, 100 euro. Përfitojnë më shumë se 510 mijë persona.

Për pensionistët, siç informoi shefi i qeverisë do të ketë edhe një bonus të dytë, që pritet të jepet në fillim të çdo pranvere. Ndërkaq, Rama ironizoi opozitën. “Ka shumë për të thënë për temën e pensioneve, që në vigjiljen e ballafaqimit elektoral është bërë shesh për përshesh të lloj lloj spekutalantëve që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve e kanë nxjerrë në pazar qilimat fluturues të Sudes e Rrapushit”, deklaroi kryeministri në Kuvend ku po vijon seanca.