2023 ishte viti më rozë në histori literalisht dhe figurativisht për shkak të një filmi hollywood-i i cili mori botën mbarë duke shkaktuar rradhë të gjata në kinema dhe trending në rrjetet sociale. (kjo falë edhe fushatës agresive të marketingut që thuhet të ketë kushtuar përtej 150 milion dollarë)
“Barbie” me producente dhe protagoniste Margot Robbie, me regji të Greta Gerwig (“No Strings Attached”, “Lady Bird” “Little Women”) harxhoi bojën rozë të planetit për prodhimin e tij, ngjyrosi me rozë të gjithë dhe gjithçka, edhe vende si Shqipëria që me kukullën e famshme janë lidhur shumë më vonë se pjesa tjetër [perendimore] e botës.
Barbie është një kukull [mode] e krijuar nga bizneswomen-ja amerikane Ruth Handler në 1959. Për vajzat, por edhe djemtë që nuk pëlqenin futbollin, ose ata seksualisht konfuzë ka qënë një nga lodrat më të dashura të brezave me rradhë – një lloj revolucioni i kukullave me të cilat luhej deri përpara sa ajo të vinte. Gerwig e ka përshkruar këtë në një sekuencë shumë të gjetur në hapje të filmit, me një tribut për “2001, A Space Odyssey” (S.Kubrick). Përpara Barbie-et, vajzat e vogla mund të ishin vetëm ‘mami’, të kujdeseshin për bebat e tyre, me ardhjen e bjondes, vajzat mund të ishin ç’të donin, por mbi të gjitha të pavarura, të barabarta me burrat (të cilët ishin shumë dytësorë në botën e saj). Ken (Ryan Gosling) me të drejtë thotë në një intervistë:
“Askush nuk ka dashur të luajë ndonjëherë me Ken”
Barbie kukulla, bota e saj, ecte paralelisht me kërkesat e një bote të emancipuar, ku të drejtat e grave nisën të viheshin në vend vit mbas viti. (Sepse të ishe vetëm mami, natyrshëm nuk është mjaftueshëm) Ajo ishte në një farë forme, një gjetje fantastike ideologjike për feminzmin dhe ikjen nga patriarku i deri më atëhershëm. Barbie është një ikonë e kulturës, një film për të pritej të kishte sukses – mbase jo kaq të madh sa ky që bëri (e po bën akoma) – ajo që nuk kuptoj është suksesi në vende si Shqipëria.
Kur shkova për të parë “Oppenheimer” një ditë mbas premierës, rradhët në Cineplexx ishin si rrallëherë. 90% shkonin të shikonin filmin e kukullës. Shumë prej tyre me fëmijë, disa syresh edhe 6 vjeç. Filmi është i ndaluar për fëmijët nën 13 vjeç – por kjo nuk kishte ndaluar mamatë e veshura me rozë, kombinuar me vajzat e tyre të uleshin në sallat e projeksionit.
Edhe një javë më pas ku shkova për “Barbie“-n rradhët për këtë film, edhe pse pak më të buta në entuziazëm, vazhdonin të ishin njësoj. Nuk e kuptova këtë… Nocioni Barbie për ne shqiptarët ka qënë i panjohur deri në fillim të viteve ’90. Kujtoj me nostalgji reklamat e mëngjesit mes kartonave të animuar tek “Italia 1” ku kukulla shkonte në spa, ecte me makinë cabrio, apo ishte presidente e SHBA-ve. Ndërsa ne luanim me gurë (peta), shkopinj (Botash, Cingla), bota kishte mrekulli të vogla plastike. Të kishe një Barbie ishte një ëndërr. Për fëmijët e mbas 1998, një kukull Barbie – apo kopjet e saj të këqija, u bë një normalitet. Sigurisht një arsye mund të jetë rritja e këtij brezi – dhe fëmijëve të tyre…
Por, po aq e pakuptimtë ishte histeria për të parë filmin nga një popull që vazhdon të vuajë nga patriarkati, me probleme të thella të mentalitetit pavarësisht përparimit në sipërfaqe – mjafton të shihni ‘sa k*urva janë gocat’ sipas ne shqiptarëve në çdo koment në rrjetet sociale – nëse nuk janë thjesht ‘mami’.
Përtej kësaj, Barbie, kukulla, mund të jetë njëkohësisht shembulli yt për t’u ndjekur sa edhe një shoqe fëmijërie. Një shoqe që gjithashtu, shpesh, ka tendencën të jetë shumë më e bukur, e sofistikuar, e ditur se ty. Nuk janë të pakta shoqëritë, komunitetet që kanë dënuar Barbien për atë që është e atë që përfaqëson. Filmi i Gerwig dhe Robbie adreson pikërisht problemin(et) e thella me atë që Barbie është në jetën e miliona fëmijëve duke u përpjekur ta mbajë historinë argëtuese dhe informuese në të njëjtën kohë. Gerwig në mënyrë gjeniale ka shkruar një skenar (së bashku me Noah Baumbach) i cili njëkohësisht e ul dhe e ngre Barbie dhe Mattel-in (kompaninë prodhuese të kukullës), një puç që ka funksionuar. Ajo ka përdorur paratë e tyre për të krijuar art të vërtetë. Se si e ka bërë këtë – një Zot e di…
Përveç gjërave të mira të filmit – një ansambël i gjetur, një skenografi dhe kostumografi tejet mbreslënëse, kolonë zanore të mrekullueshme, zgjuarsinë e vazhdueshme në trajtimin e problemeve të botës së Barbie-t dhe botës së vërtetë – filmi ka një tendencë të bëhet i lodhshëm dhe qesharak.
Barbie (Robbie) krejt papritmas fillon të ndjejë gjëra që nuk do të duhej në botën perfekte të saj. Me ndihmën e një Barbie tjetër ajo do të kalojë në botën e vërtetë ku do të gjejë personin që luan me të për të zgjidhur krizën që po kalon. E ndjekur nga Ken, i cili e do, edhe pse Barbie e shikon atë njësoj si çantat dhe këpucët – një lloj aksesori i herë pas hershëm. Aty Barbie kupton se jo çdo gjë është perfekte dhe e lehtë si në botën e saj rozë. Përkundrazi. Duke u njohur me vajzën që luante me të, kupton se gjërat në Barbieland duhet të ndrrojnë. Por gara bëhet e fortë kur Ken, kupton se burrat duhet të marrin kontrollin dhe kthehet i pari në botën e kukullave për ta kthyer vendin në një pasqyrim qesharak të botës reale.
Filmi ka leksione të vazhdueshme për feminizmin paralelisht me batutat dhe situatat komike. Fakti është që filmi sot qëndron si një nga më të ndjekurit në kinema me mbi 1 miliard arkëtime në të gjithë botën, duke e bërë regjisoren Gerwig të parën regjisore grua që e arrin këtë.
Megjithatë, ka një farë cektësie, një si mungesë jete në ato që duhet të ishin dialogjet e ‘thella’ të tij. Pjesët e shkëlqyeshme të filmit fundosen pikërisht nga këto zgjedhje cartoon-eske të konflikitit të filmit – atë që do ta çonte një punë vizuale fantastike – në një nivel dramatik për t’u vlerësuar.
Suksesi i Barbie-t paraprin vendosmërinë [normale] të industrisë amerikane të filmit amerikan për të bërë një të dytë e të tretë në vitet në vazhdim. Bindja ime pasi pashë të parin është, se kjo përpjekje për ta ngjallur botën e kukullave, e për t’i dhënë kuptim lidhjes sonë me to, ose mbase për t’i dhënë Barbie-t një kuptim më të lartë akoma, është një ngërç nga i cili filmi nuk do të dalë dot.
Uroj vetëm që këta milionat që kanë parë kryefjalën e feminizmit në kinematografine komerciale të mos vazhdojnë të komentojnë për çdo vajzë, minimalisht të pavarur, që -‘është k*urvë’.
“Barbie” vazhdon të shfaqet në Cineplexx TEG & QTU!