Sport

Barazim i “ëmbël” për Flamurtarin, Apolonia përmbys Vorën!

Flamurtari dhe Apolonia vazhdojnë garën për ngjitjen në Superiore. Kuqezinjtë nga Vlora e mbyllën në barazim 0-0 duelin shtëpiak ndaj Korabit, por avancuan më tej falë renditjes më të mirë në Kategorinë e Parë.

Ndërkohë, skuadra fierake kompletoi një përmbysje të çmendur ndaj Vorës. Fitorja ishte mundësia e vetme për Apoloninë, që po humbiste 3-1 deri në mesin e pjesës së dytë.

Në fund 3-4 për Apoloninë, që iu fal golave të Hebejës, Maksutit, Omerit dhe nigerianit Anthony Umejiego. Pa vlera rezultuan golat e Prengajt (2x) dhe Raboshtës për Vorën.

Flamurtari do të sfidojë Apoloninë në një finale derbi, i programuar për datën 15 maj. Skuadra që ia del, do të gjejë përballë Laçin e Armando Cungut për biletën e Superiores (19 maj).