Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë bëri të ditur se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama është në mesin e 500 shtetasve amerikanë, të cilëve tani iu ndalohet hyrja në shtetin rus. Sipas autoriteteve të Moskës, ky vendim është marrë si përgjigje ndaj valës së fundit të sanksioneve të Uashingtonit kundrejt rusëve.
Ndër të tjera, bëhet e ditur edhe se Moska e ka refuzuar kërkesën e SHBA-ve për të patur akses te gazetari i ndaluar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, Evan Gershkovich. Ai u arrestua në muajin mars, pas dyshimeve se ishte përfshirë në aktivitete spiunazhi, ndonëse pa prova konkrete.
Ky hap u nxit dhe nga refuzimi i Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, për t’iu dhënë viza përfaqësuesve të dy mediave që kanë udhëtuar me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në një vizitë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Në një njoftim zyrtar thuhet:
Uashingtoni duhet ta ketë mësuar prej disa kohësh tashmë, se asnjë sulm i vetëm armiqësor ndaj Rusisë nuk do të mbetet pa pasoja!
Më herët gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan më shumë se 300 objektiva, me qëllimin e vetëm ndëshkimin e Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar e që ka shkaktuar viktima, të plagosur e të zhvendosur, krahas dëmeve kolosale në infrastrukturë. Trupat e Moskës kanë intensifikuar sulmet ajrore, ndërsa ka njoftime se Kievi po përgatit një kundërofensivë të fuqishme ndaj pushtuesve, sidomos në lindje të Ukrainës.
Veprimi i fundit është konsideruar si një prej më të ashpërve sa iu përket sanksioneve të vendosura nga SHBA-të duke shënjestruar Rusinë. Sipas autoriteteve amerikane, sanksionet prekin të ardhurat e pritshme ruse në fushën e energjisë, si dhe në zinxhirin e furnizimit me pajisje ushtarako-industriale.