Aktualitet

Banorët e 5 majit: Dy ditë afat qeverisë për zgjidhjen e kompensimit, përndryshe grevë urie

Banorët e lagjes “5 maji” që preken nga projekti i rindërtimit dhe atë të zonës së Kodrës së Priftit, Laprakës, Kombinatit dhe Paskuqanit që u preken banesat nga Unaza e Re vendosin afat për zgjidhjen e çështjes së dëmshpërblimit.
“Dy ditë afat për të rënë në dakordësi për mënyrën e kompensimit, përndryshe kërcënojnë me vendosjen e çadrave. Nëse nuk ka përgjigje, të martën në mbrëmje ngremë çadrat dhe hyjmë në grevë urie” thonë banorët e 5 majit.

Mos na dëboni nga shtëpitë tona’, ‘Duam çmim tregu për shtëpitë tona’, me këto parulla banorët e katër zonave në Tiranë u mblodhën sërish në protestë përpara Kryeministrisë. Për 1 orë e 43 minuta banorët e ‘5 majit’, ‘Laprakës’, ‘Paskuqanit’ dhe të ‘Kombinatit’ protestuan, madje i dhanë dy ditë ultimatum qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate. Në të kundërt, banorët paralajmëruan grevë urie pranë kryeministrisë.

“Të martën afati i fundit për të marrë zgjidhje, keni dy ditë kohë afat që t’i jepni një zgjidhje, në të kundërt grevë urie”, tha një protestues.

Protestës iu bashkuan edhe fëmijët e këtyre zonave, të cilët me lot në sy patën një thirrje të veçantë për Ramën, duke i kërkuar atij që të mos ua prishin shtëpitë pasi prindërit nuk kanë mundësi të ndërtojnë të reja. Por pengu më i madh i fëmijëve, mbeten kujtimet që do t’i humbin me prishjen e shtëpive.

Banorët e zonës e së ‘Laprakës’ dhe ‘Paskuqanit’ kanë dalë në protestë pasi janë njoftuar që në zonën e tyre do të kalojë një pjesë e projektit të ‘Unazës së Madhe’. Ata thonë se nuk kanë marrë ende një njoftim se kur do u prishen banesat, por vetëm iu është vendosur kryqi i kuq, që do të preken nga rikualifikimi urban i zonës.

Banorët thonë u janë hequr shtëpitë nga procesi i legalizimit që kur është marrë njoftimi se do kalojë projekti i ‘Unazës së Madhe’.

“Ne nuk jemi njoftuar fare, kanë ardhur e kanë sjellë letrën për prishjen e objektit dhe na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit. Ku do strehohemi? E kemi futur, por na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit, nuk na i legalizojnë”, tha një banor i ‘Paskuqanit’.

“Katër persona, 80 metër katror, shtëpia është në proces legalizmi. Po na prishin shtëpitë, ku do shkojmë? Asnjë nuk dimë, asgjë nuk na kanë thënë. Na është vënë vetëm kryqi i kuq tek dera e shtëpisë”, thekson një tjetër banore e ‘Paskuqanit’.

Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe banorët e Kombinatit, të cilët thonë se nuk duan që këtyre banorëve t’iu përsëritet e njëjta situatë.

“Në Kombinat nuk është bërë asnjë pallat. Ajo që na gjeti ne që na nxorën jashtë, mos t’iu ndodhë edhe këtyre, Në Kombinat i kanë shembur pallate të padëmtuara. Aty ku jetoj unë jam në proces gjyqësor se pallati nuk ka asnjë dëmtim. Dyshja Rama-Veliaj duan të rrëmbejnë truallin tonë. Në Kombinat nuk është ndërtuar asnjë banesë”, u shpreh protestuesi nga ‘Kombinati’.