Tregimi i shkurtër me titullin sfidues të logjikës së shëndoshë “Bankieri Anarkist” u botua për herë të parë në vitin 1922. Një shëmbëlltyrë, një satirë dialektike, një ndërtim shembullor i një logjike të rreptë induktive, ka aktualitetin e natyrshëm që karakterizon të gjithë veprën e Fernando Pessoa.
“Bankieri Anarkist” merret me anën praktike të jetës: Shoqëria dhe shpikjet e saj, paratë, ushtrimi i pushtetit dhe ligjet e saj. Është një libër i vogël, por shumë i madh në kuptim dhe ndoshta kërkon pak kohë (për disa që nuk janë aq të njohur me temën) për sa i përket kohës për t’u lexuar dhe kuptuar.
“Bankieri Anarkist”, ngjeshur brenda një dialogu sokratik midis dy miqsh të vjetër që takohen në një kafene, vë gishtin mbi një problem njerëzor universal: pikëtakimin midis teorisë dhe jetës. Si mundet një bankier i pasur ta mbajë veten për anarkist? Përgjigje pas përgjigjeje, bankieri na përvijon portretin e një kontradikte të njëmendtë dhe të pazgjidhshme. Ironia është tronditëse pikërisht sepse pohimet e tij nuk thuhen me shaka. Tek “Bankieri Anarkist” Pessoa arrin të na magjepsë me mjeshtërinë e tij për të prekur në mënyrën më të thukët e më poetike pikat kyçe të përvojës njerëzore.
Kjo vepër mund të lexohet si një roman – romani i një jete, gabimeve dhe dyshimeve të saj, deri në përfundimin ngadhënjyes. Bankieri, i nisur nga asgjë, ka bërë pasuri. Përse dhe si? Këtë përpiqet të na shpjegojë ai, nëpërmjet një sërë arsyetimesh me një logjikë të pathyeshme, por edhe me një bishtnim të hareshëm. Ky Bankier, i cili e shpall veten anarkist të kulluar, nuk nguron të përdorë sofizma, paradokse dhe përdredhje nga më të pabesueshmet për të na shpalosur të vërtetën e tij.
Por cilën të vërtetë? Pikërisht këtu e merr përmasën e saj të vërtetë kjo vepër. Bëhet fjalë për një pamflet të zjarrtë kundër “shoqërisë borgjeze” (ne do të thoshim kapitaliste), hipokrizive të saj por sidomos, dhe më thellësisht, kundër mekanizmave që e shpien qenien njerëzore në një zhveshje absolute nga vetja dhe e dënojnë për të keqen më të lartë: mungesën e lirisë. Ky tekst është një vënie në pikëpyetje e shoqërisë borgjeze deri në themelet e saj më të errëta, të cilat përbëjnë zemrekët e saj më efikasë dhe më të fshehur.
Pessoa na bën të kuptojmë se anarkizmi nuk është vetëm një revolucion i të rinjve që duan të sjellin një ndryshim të vakët. Por në thelb është heqja e të gjitha trillimeve shoqërore dhe varësia prej tyre. Ndryshimi duhet të vijë fillimisht brenda nesh, individualisht, për të parë një shoqëri anarkiste, pra një shoqëri të lirë.