Bota

Banka Qendrore Europiane rrit normat e interesit në 4%, niveli më i lartë rekord!

Banka Qendrore Europiane, BQE e rriti sërish normën e interesit me 25 pikë përqindje në 4%, niveli më i lartë që nga fillimi i monedhës euro në vitin 1999. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Inflacioni vazhdon të bjerë, por ende pritet të mbetet shumë i lartë për një kohë të gjatë. Këshilli Drejtues është i vendosur të sigurojë që inflacioni të kthehet në objektivin e tij afatmesëm prej 2% në kohën e duhur. Për të përforcuar progresin drejt objektivit të tij, sot Këshilli Drejtues vendosi të rrisë tre normat kryesore të interesit të BQE-së, me 25 pikë bazë.

Ndërsa ka rritur kostot e huamarrjes për të dhjetën herë radhazi, Banka Qendrore Europiane la të kuptohet se mund të mos ketë më nevojë të rrisë më tej normat, por mbetet e varur nga të dhënat.

Normat kryesore të interesit të BQE-së arritën nivele që të mbajtura për një kohë mjaft të gjatë do të japin kontribut të konsiderueshëm në kthimin në kohë të inflacionit në objektiv. Këshilli Drejtues do të vazhdojë të ndjekë një qasje të varur nga të dhënat, për të përcaktuar nivelin e duhur dhe kohëzgjatjen e kufizimit.

Në tërësi, Eurozona e ka shmangur recesionin deri tani, por Gjermania, ekonomia më e madhe e saj ka pësuar tkurrje. Nuk janë vetëm normat më të larta të interesit që po rëndojnë aktivitetin ekonomik. Një tjetër faktor është frika nga mungesa e gazit natyror pas pushtimit rus të Ukrainës, vitin e kaluar. Po kështu, dobësia në Kinë ku mbështetet shumë industria prodhuese e Gjermanisë.

Në të njëjtën kohë, norma e inflacionit në Eurozonë qëndron në 5.3%, ende shumë larg mbi objektivin prej 2% të BQE-së. Edhe pse ra nga kulmi prej 10.6% në tetor, parashikohet të vijojë në këto nivele për disa kohë.

Në fillimjavë, Komisioni Europian uli parashikimet për zgjerimin ekonomik dhe tha se inflacioni do të vazhdojë të jetë mesatarisht më shumë se 3% në vitin 2024.