Banka Qendrore Europiane ka dhënë sinjale të qarta se javën e ardhshme do të nisë ulja e normës së interesit.
BQE është vendosur të jetë banka e parë qendrore që ul normën, pasi u kritikua që ishte e fundit në rritjen e tyre.
Kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane tha në një intervistë për Financial Times se në takimin e 6 qershorit, “do të ketë surpriza të mëdha”.
Investitorët besojnë se do të ulet dhe norma e depozitave.
Banka suedeze, hungareze, çeke dhe zvicerane kanë reduktuar tashmë normën e kredimarrjes, si përgjigje ndaj rënies së inflacionit. Nga ana tjetër, banka Federale në SHBA dhe ajo e Anglisë nuk parashikojnë të ulin ende normën.
I pyetur nëse ishte krenar që BQE ishte në një pozicion për të ulur normat e interesit më herët se të tjerët, Lane tha:
“Bankierët qendrorë aspirojnë të jenë sa më të mërzitshëm dhe unë do të shpresoja që bankierët qendrorë të aspirojnë të kenë sa më pak ego të jetë e mundur”.
Ai shtoi se një arsye kryesore pse inflacioni kishte rënë më shpejt në Eurozonë se në SHBA ishte sepse rajoni ishte goditur më shumë nga tronditja energjetike e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë. “Përballja me luftën dhe problemin e energjisë ka qenë e kushtueshme për Europën,” tha ai.
“Por për sa i përket këtij hapi të parë [në fillimin e uljes së normave] kjo është një shenjë se politika monetare ka dhënë rezultate duke u siguruar që inflacioni të ulet në kohën e duhur. Në këtë kuptim, mendoj se kemi qenë të suksesshëm.”