Aktualitet

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 3.25%

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi ditën e sotme Raportin Tremujor të Politikës Monetare, duke rritur normën bazë të interesit për lekun me 0.25%.

Përmes një deklarate për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se shkak për këtë është bërë inflacioni i lartë kryesisht i produkteve të shportës.

Përballë një ambienti të huaj sfidues, aktiviteti ekonomik në vend ka shënuar rritje gjatë vitit 2023, ndërsa inflacioni ka ardhur në rënie progresive. Këto trende pozitive pritet të vijojnë edhe në të ardhmen.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta. Për këtë arsye, në mbledhjen e sotme, ai vendosi të reduktojë intensitetin e stimulit monetar, duke synuar të krijojë kushtet e përshtatshme financiare për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda vitit të ardhshëm,- tha Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se ‘inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës’. Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi – më së shumti – rënien e inflacionit të ushqimeve.

Aktiviteti ekonomik pritet të vijë në rritje gjatë horizontit afatmesëm, duke ndihmuar rritjen e punësimit e të pagave, si dhe duke mbështetur shëndetin e bilanceve financiare të bizneseve e familjeve. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, si pasojë e kontekstit ekonomik botëror dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, por ai pritet t’i rikthehet ritmeve të tija historike në vitet në vijim.

Paralelisht me të, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se përmbushja e këtij parashikimi kërkon një reagim të politikës monetare, për të mundësuar reduktimin e mëtejshëm të presioneve të brendshme inflacioniste”- tha Sejko, duke shtuar se parashikimet sugjerojnë që treguesit kryesorë të ekuilibrave të brendshëm e të jashtëm të vendit: shëndeti i sektorit bankar, borxhi publik dhe borxhi i huaj i vendit, do të mbeten të qëndrueshëm ose do të vijnë në përmirësim.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

– të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 3.25%;

– të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 4.25%;

– të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 2.25%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Në këtë kontekst, ai i shërben ruajtjes së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, garantimit të stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart. “Në këtë kontest, ai mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, përfundoi Sejko.