Aktualitet

Banka e Shqipërisë po përgatit rregullore që do të kufizojnë huadhënien!

Banka e Shqipërisë po punon për ndryshime rregullatore, që pritet të sjellin shtrëngime të ndjeshme për kredidhënien e institucioneve mikrofinanciare, veçanërisht atyre që japin kredi të shpejta. Burime bëjnë të ditur se po punohet me konsulencën e Bankës Botërore për të hartuar një rregullore që synon të kufizojë huadhënien dhe bazën e klientelës në mikrofinancën konsumatore.

Disa nga parimet ku do të mbështetet rregullorja e re do të jenë një analizë e shtuar financiare e huamarrësve, vendosja e një credit scoring (pikëzimi i kredimarrësve) dhe kufizim i numrit të kredive për një huamarrës të vetëm. Objektivi është që projektrregullorja e re të jetë gati në fillim të vjeshtës.

Këto ndryshime po vijnë pas një trysnie në rritje nga opinioni publik dhe Kuvendi i Shqipërisë, të nxitura sidomos nga çështja penale e ngritur ndaj një institucioni financiar të mbledhjes së kredive të këqija dhe përmbaruesve të lidhur me të, për shkelje ligjore në procesin e mbledhjes së këtyre detyrimeve.

Projektrezoluta e Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023”, ku përfshihen edhe rekomandimet kryesore për punën e institucionit gjatë vitit 2024 dhe në vazhdim, kërkon angazhim në hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore, nën asistencë e institucioneve ndërkombëtare, për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.

Sipas projektrezolutës, Bankës së Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve, si dhe të hartohet një dokument i politikës së licencimit për bankat dhe jo-bankat, ku të mbahen parasysh elemente të tillë si mbrojtja e konsumatorit, vendi i origjinës së pronarëve fundor, eksperienca në sistemet financiare europiane e subjekteve që aplikojnë për licencim.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë duhet të sigurojë përmirësimin e treguesve të transparencës të të gjitha institucioneve që licencohen nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht të Institucioneve Financiare Jobanka, në mënyrë që informacioni i pasqyruar prej tyre të jetë i plotë, me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht i aksesueshëm për konsumatorët, nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit, qofshin ato fizike apo dixhitale.