Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të mbajë të pandryshuar normën e interesit të lekut, në 3.25%.
Ndërkohë të pandryshuara do të mbahen edhe norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25% dhe norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.
Ky vendim u mor në bazë Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë, ndërsa pikat e mëposhtme tregojnë detajet:
-Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar prej 3.9% në tremujorin e katërt, me një rënie të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës.
-Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyroi rënien e presioneve të brendshme inflacioniste.
-Megjithatë, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve..
-Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e tretë të vitit të shkuar.
-Në ndryshim nga tremujorët paraardhës, rritja ekonomike gjeti një mbështetje më të lartë nga kërkesa e huaj dhe – në veçanti – nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit.
-Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.
-Politika monetare ka pasur një rol të rëndësishëm në kontrollin e inflacionit dhe në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm monetar e financiar të vendit.
-Në përgjigje të kushteve stimuluese të ofertës dhe kërkesës së lartë për financim, kredia për sektorin privat u rrit me 10% gjatë vitit 2023.
-Përditësimi i parashikimeve sugjeron vijimin e trendeve pozitive ekonomike edhe në të ardhmen.
-Ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve.
-Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë. Sipas tyre presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend.