Rajoni

Banka Botërore me program për transport të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor!

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga qasja në financim dhe asistenca teknike për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e transportit në katër kategoritë: Siguria hekurudhore; rrugore; Pikat e Kalimit Kufitar dhe  Vendosja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të zgjuara të lëvizshmërisë.

Kështu dakordësoi sot takimi i Grupit Drejtues për Programin e Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm (SSTP) që u mbajt në selinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër.

Kryesuar nga Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore dhe bashkëkryesuar nga Holger Schroeder, Shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) e Matej Zakonjšek, Drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit strategjik dhe zgjidhjeve inovative në avancimin e infrastrukturës së transportit të rajonit, në përputhje me Axhendën e Gjelbër të BE-së.

Në këtë kuadër, Programi për Transport të Qendrueshëm dhe të Sigurt (SSTP) i financuar nga Bashkimi Europian dhe Banka Botërore, mbështet nisma si përmirësimet e sigurisë rrugore, infrastrukturën alternative të karburantit dhe sistemet inteligjente të transportit. Ai synon uljen e kohës së udhëtimit, rritjen e sigurisë, ndotjen më të ulët, përmirësimin e aksesit në treg, rritjen e tregtisë, krijimin e vendeve të punës dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Po ashtu, Banka Botërore bën të ditur se programi lehtëson rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, gjelbërimin e transportit, integrimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e Ballkanit Perëndimor.

Përmirësimi i infrastrukturës së transportit mund të çojë në reduktimin e kostove të prodhimit dhe shpërndarjes, rritjen e tregtisë dhe investimeve, dhe rritjen e lidhjes me rajonet e tjera. Si rezultat, bizneset mund të hyjnë në tregje të reja dhe konsumatorët mund të përfitojnë nga një shumëllojshmëri më e gjerë produktesh dhe shërbimesh. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, ku tregtia ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes dhe progresit ekonomik, thekson Banka Botërore.