Bota

Bangladesh, gjykata anulon shumicën e kuotave për vende pune/Vendimi pas trazirave!

Gjykata e Lartë e Bangladeshit, sot ka anuluar shumicën e kuotave për vende të lira pune në institucione qeveritare, por me vendimin e fundit, nuk ka plotësuar tërësisht kërkesat e studentëve, të cilët kanë mbajtur protesta vdekjeprurëse në ditët e fundit. Autoritetet kanë raportuar se 151 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e përleshjeve të studentëve me forcat e sigurisë.

Këto protesta kanë shënuar një prej trazirave më të rënda gjatë drejtimit të qeverisë nga kryeministrja Sheikh Hasina në shtetin e Azisë Jugore. Ushtarët janë duke patrulluar në të gjithë territorin e Bangladeshit pasi polica nuk ka arritur të mbajë rendin ndërsa linjat e internetit dhe komunikimeve janë kufizuar ashpër prej ditës së enjte, duke izoluar këtë vend nga pjesa tjetër e botës.

Ishte planifikuar që Gjykata e Lartë të mund të merrte vendim për këtë rast përgjatë muajit gusht, por ka dalë sot me një të tilla, duke e përshpejtuar për shkak të përshkallëzimit të dhunës.

Në vendimin e dhënë është thënë se verdikti i marrë prej një gjykate tjetër, muajin e kaluar, për kuotat ka qenë “joligjor”.

Shah Monjurul Hoque, avokat i përfshirë në rastin në fjalë i tha agjencisë së lajmeve AFP se gjykata u ka kërkuar studentëve të “kthehen nëpër klasa”, pas marrjes së vendimit.

Në vendim është zvogëluar kuota për vendet e rezervuara të punëve në institucionet qeveritare, nga 56 në 7%.

5% e posteve janë rezervuar për fëmijët e “luftëtarëve për liri” në luftën për çlirimin e Bangladeshit nga Pakistani, në vitin 1971. Kjo në krahasim me 30% që caktonte vendimi paraprak. Po ashtu, një përqind e pozitave është ruajtur për komunitetet fisnore dhe një përqind shtesë, për personat me aftësi të kufizuara.

Gjykata ka thënë se pjesa tjetër e pozitave, ajo dërrmuese prej 93% do të duhet të fitohen mbi bazën e meritokracisë. Studentët kanë kërkuar anulim të plotë të kuotave.