Bota

Balotazh për presidencialet në Moldavi!

Drejt balotazhit presidencialet në Moldavi. Sipas të dhënave paraprake, presidentja proeuropiane Maia Sandu, fitoi raundin e parë. Ndërkaq, rezultati i referendumit për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian ende nuk është i qartë. Kampi i “JO”-së ka një epërsi të vogël, pas fushatës së përshkruar me akuza për ndërhyrje ruse. Përmes një deklarate herët në mëngjes, Sandu tha se votimet ishin nën një sulm “të paprecedent” nga “grupet kriminale” që tentuan të blinin qindra mijëra vota, në përpjekje “për të minuar procesin demokratik”.

Sandu e cila garoi për rizgjedhje, doli e para nga 11 kandidatët që garuan në zgjedhje dhe forcoi epërsinë e lehtë që kishte në nisje të numërimit të votave ndaj kandidatëve të tjerë, por nuk arriti të merrte 50% të votave të nevojshme për të shmangur raundin e balotazhit.

Me më shumë se 98% të votave të numëruara, Sandu është e para me 41.84% e në raundin e dytë do të përballet me socialistin prorus, Alexandr Stoianoglo, i cili fitoi 26.34% të votave. Raundi i balotazhit do të mbahet më 3 nëntor.

Ndërkaq, rezultati i referendumit është shumë më i ngushtë, pasi 50.1% e votave të numëruara janë për “JO” ndërsa 49.9% për “PO” një anëtarësimi të mundshëm në Bashkimin Europian. Votimet e një dite më parë në Moldavi, për shumë vëzhgues u cilësuan “kritike për të ndihmuar që të përcaktohet drejtimi që do të marrë shteti: nëse do të vendosë për raporte më të ngushta me Europën dhe Perëndimin apo do të kthehet nga Rusia”.

Sandu tha se ka “dëshmi” që grupet kriminale dhe forcat e huaja kanë tentuar të ndërhyjnë në zgjedhje, por nuk përmendi asnjë shtet me emër.

Moldavia, sot, por edhe në muajt e fundit është përballur me sulm të paprecedent ndaj lirisë dhe demokracisë. Grupet kriminale që punojnë me fuqitë e huaja kanë sulmuar shtetin tonë me miliona euro, gënjeshtra e propagandë… për ta mbajtur shtetin tonë të bllokuar në paqartësi dhe paqëndrueshmëri.

Më tej, presidentja moldave shtoi se “dëshmitë e qarta” kanë treguar se grupet kriminale kanë tentuar të blejnë deri në 300 mijë vota.

Ne po presim rezultatet përfundimtare dhe do të përgjigjemi me vendime të fuqishme, theksoi përmes një deklarate.