Liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor reaguan ndaj fitores nga republikani Donald Trump, në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris. Edhe pse fitorja e Trump-it ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, nuk ka më dyshime pasi ai ka siguruar 277 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.
Kryeministri Edi Rama uroi Trump-in e gjithashtu falënderoi presidentin aktual amerikan, Joe Biden, për bashëkpunimin.
Ishte një nder i vërtetë të punoja krah për krah me presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Pres me kënaqësi privilegjin e madh për të punuar me presidentin e 47-të për të thelluar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe progres të mëtejshëm.
Trump-in e uruan edhe Sali Berisha e Ilir Meta. Dhëndri i tij, Jared Kushner ka planifikuar investime të mëdha në Shqipëri e Serbi. Në vendin tonë, ai synon që Sazanin, ta shndërrojë në destinacion luksoz për turistët e të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec. Në administratën e kaluar të Trump-it, Kushner kishte rolin e këshilltarit të lartë të presidentit.
Donald Trump-in e uruan edhe në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani:
Pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike.
Kryeministri Albin Kurti:
Amerika është një aleate, mike dhe partnere kyçe për Kosovën e mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç:
Urime Donald Trump për fitoren tuaj! Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-të për stabilitet, rritje dhe paqe!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski:
Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik e për reformën demokratike.
Kryetari i partisë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) uroi Trump-in e theksoi rëndësinë e zgjidhjes së “çështjeve të hapura në Europën juglindore” përmes mbështetjes nga administrata amerikane.
Fitoren e Trump-it e përshëndeti edhe presidenti pro-rus i Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-ve.
Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-ve, por edhe të botës.
Listës iu bashkuan edhe të tjerë drejtues e politikanë të Bosnjës, Malit të Zi e Kroacisë.