Vrasja tronditëse e 14 vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, nga një bashkëmoshatar që u arrestua, çoi në debate në Kuvend, sot në ditën e dytë të seancës maratonë kushtuar buxhetit 2025. Nga opozita, deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Pasi i shprehu ngushëllime familjes së Martinit, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla kërkoi që të tilla ngjarje të rënda, të mos përdoren më për debatin politik të ditës.
Natyrisht, humbja e një jete të një nxënësi, një djali të ri, një futbollist i shkëlqyer, na ka prekur të gjithëve dhe ngushëllimet më të ndjera familjes Cani! Eshtë një përgjegjësi që na takon të gjithëve dhe kjo përgjegjësi bëhet më e madhe kur ngjarje kaq të rënda keqpërdoren për debatin politik të ditës.
Duke iu drejtuar Zhupës, Balla theksoi:
Kanë 30 vjet që ngjarje të rënda, ti nuk kishe lindur kur këto ngjarje përdoreshin gjithmonë dhe nuk ke faj ti. Kjo është politika që është kultivuar gjithë këto vite, kur vaji, kur dhimbja, kur vdekja përdoret për politikë.
Balla foli edhe Paketën e Sigurisë në shkolla:
Unë mendoj që secili prej nesh ka përgjegjësinë vetë për modelin që japim. Kërkuat këtu përgjegjësi për zbatimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla. Po unë e kam pasur, e kam bindje që na duhet një qasje krejtësisht tjetër sa i përket garantimit të perimetrit të sigurisë në shkolla, sa i përket luftës kundër përdorimit të lëndëve narkotike, sa i përket luftës kundër keqpërdorimit të rrjeteve sociale, sepse e dashur kolege, të gjithë e dimë që sot kemi nevojë për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, për të kaluar ato propozime që janë depozituar prej kohësh sa i përket perimetrit të sigurisë në shkolla.
Na duhet t’i ndëshkojmë maksimalisht të gjithë ata që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor rreth shkollave. Na duhet të dyfishojmë ndëshkimet penale ndaj gjithkujt që shet, shpërndan lëndën narkotike pranë shkollave.
Ju keni qenë këtu kur kisha detyrën të raportoja përpara jush për numrin e madh të personave të arrestuar si shpërndarës lëndësh narkotike pranë shkollave dhe ju ishit kundër. Prandaj unë mendoj që kjo ngjarje duhet të na bëjë me përgjegjësi të gjithëve. Dhe si anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë e ftoj opozitën të marrë fjalën dhe të thotë, po ne jemi gati të mbështesim të gjitha masat drastike ligjore që duhen ndërmarrë.