Aktualitet

Balla: 16 persona para Drejtësisë nga operacionet “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”!

Policia e Shtetit po rrit forcën e reagimit ndaj personave me precedentë kriminalë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot rezultatet e fundit të operacioneve kombëtare të Policisë së Shtetit. Balla tha se operacionet  “Tempulli dhe “Sundimi i Ligjit” po gjurmojnë personat me precedentë kriminalë që cenojnë jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.

“Përgëzime Policisë së Shtetit Fier, Durrës, Kavajë, Tiranë,  Dibër, Korçë dhe Shkodër për rezultatet e fundit dhe për vënien para drejtësisë së 16 personave”, theksoi Balla.

Në Fier, u kap në flagrancë me doza kokaine të gatshme për shitje dhe u vendos në pranga 32-vjeçari. Ndërsa në Berat, u arrestua në flagrancë 34-vjeçari pasi shiste doza kokaine. Procedohet penalisht babai i tij, sepse iu gjetën në banesë 600 euro të dyshuara false.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi edhe për një projekt ‘Smart City’, për të cilin po punohet me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Përmes këtij projekti, synohet monitorimi i zonave turistike dhe gjithë qyteteve me qëllim rritjen e sigurisë publike. Po ashtu, Balla tha se përmes këtij projekti synohet edhe pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi.

Por, ministri theksoi se ky projekt s’do jetë gati për këtë sezon turistik.

“Edhe pse nuk do të mund ta kemi dot gati për këtë sezon turistik gati, nuk mund të mos përmend që mezi presim të fillojmë zbatimin e projektit të madh SMART CITY (falë bujarisë së qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe) në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në të gjitha zonat turistike, me qëllim rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen jetës dhe të pronës private, monitorimi trafiku, monitorim bregdeti, pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi etj përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjesh teknologjike dhe inteligjence artificiale, do të na mundësojë kalimin në nivelin që duam të sigurisë.

Falë investimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar edhe Qendra e Monitorimit të Trafikut është në proces, duke na mundësuar kontrollin digjital të sigurisë rrugore në 200 km e para të rrugëve kryesore.

Na duhet të bashkojmë të gjitha forcat tona për t’i garantuar çdo vizitori të huaj dhe çdo qytetari shqiptar një sezon veror turistik vetëm me kujtime të bukura”, tha Balla.