Sport

Bajrami i theu rekordin, reagon ish-futbollisti rus Dmitri Kirichenko!

Nedim Bajrami hyri në historinë e Europianit duke shënuar golin më të shpejtë në këtë kompeticion, 23 sekonda pas startit të takimit kundër Italisë.

Për këtë gol ka reaguar dhe ish-futbollisti rus, Dmitri Kirichenko, i cili mbante rekordin përpara Bajramit, me golin e tij kundër Greqisë në vitin 2004 vetëm pas 67 sekondash.

“E vërteta është se u habita shumë kur pashë Bajramin që theu atë rekord. Mendoja se një ekip më i famshëm se Shqipëria do e thyente. Ata shënuan vetëm 23 sekonda pas fillimit të ndeshjes, kështu që urime”, u shpreh Kirichenko.

Vetëm 23 sekonda ishin të mjaftueshme për Bajramin për të thyer rekordin e mëparshëm prej 67 sekondash, i vendosur nga Dmitri Kirichenko i Rusisë në Euro 2004. Ky sukses i jashtëzakonshëm u bë menjëherë lajm kryesor në mediat ndërkombëtare, duke u pasqyruar nga France 24 deri në The Guardian, dhe madje edhe përtej oqeanit, në Amerikë.

Ndërsa BBC thekson se ky gol i veçantë i Bajramit do të mbetet në zemrat e tifozëve shqiptarë për shumë vite të ardhshme, pavarësisht sfidave të mëdha që përballet kombëtarja në një grup të fortë. Goli i Bajramit jo vetëm që i dha zemër 50 mijë tifozëve në stadiumin e Dortmundit, por gjithashtu vendosi një standard të ri për të ardhmen e futbollit europian.